Ndërlidhjet

VLERËSIMET MBI RAPORTIN E JOACHIM RUECKERIT NË KS


Albana Isufi

Përfaqësuesit shqiptarë dhe serbë të Kosovës vlerësojnë
në mënyra të ndryshme raportimin e shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara para Këshillit të Sigurimit. Përderisa përfaqësuesit shqiptarë thonë se ishte një raport i bazuar në fakte, serbët e Kosovës thonë se gjendja në terren nuk është ashtu siç është përshkruar në raport. Ngjashëm, diversitet mendimesh ka edhe rreth reagimit të ambasadorit rus në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndaj raportimit të zotit Joachim Ruecker. Këshilltari i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Skënder Durmishi, vlerëson se mbledhja e Këshillit të Sigurimit ishte një testim interesant i pozicioneve para takimit kryesor, kur do të vlerësohet raporti i zotit Ahtisaari. ”Mendoj se mbledhja e djeshme e Këshillit të Sigurimit dhe epilogu i saj, ka qenë një leksion i dobishëm për Serbinë dhe për të gjithë ata që e përkrahin, për të kuptuar se rrezikojnë kredibilitetin e tyre, nëse vazhdojnë ta dëgjojnë vetëm zërin e tyre”, thotë Durmishi. Por, në anën tjetër, lideri i Listës Serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, nuk pajtohet me konstatimin e zotit Ruecker, se situata në Kosovë është e mirë. Ai thotë se ky vlerësim nuk e habit, pasi të gjithë paraardhësit e tij kanë vlerësuar pozitivisht situatën në terren. “Kur flitet pozitivisht për gjendjen në terren, kryeadministratorët në të vërtetë flasin për vete, sepse një situatë e mirë në terren tregon se edhe ata vetë kanë qenë të suksesshëm. Mendoj se i vetmi raport real ka qenë nga Kai Eide, dhe ky do të duhej të ishte model”, thotë Oliver Ivanoviq. Ndaj raportit të zotit Ruecker, dje ka reaguar edhe ambasadori i Federatës Ruse, Vitali Curkin, i cili e ka konsideruar raportin e shefit të UNMIK-ut si të njëanshëm. Këshilltari i kryetarit të Kuvendit, Skënder Durmishi, thotë se nuk është pritur një reagim i tillë. “Sidoqoftë edhe në këtë situatë, përfaqësuesi i Rusisë, ambasadori Curkin, bëri të qartë se nuk ka vendim për veton, se vetoja është fjalë e madhe, se për të do të vendoset në momentin e votimit. Por, mbi të gjitha është me rëndësi të thuhet, se faktet janë më të forta se emocionet dhe sentimentet ngado që të vijnë. Kjo është cilësi e kësaj mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit. Më duket se mund të jemi të kënaqur me mënyren, se si janë prezantuar faktet dhe si e sa janë dëgjuar ato”, thekson Durmishi. Por, mendim krejt tjetër ka Oliver Ivanoviq. Ai thotë se Rusia është e qartë, se nuk do të tolerojë më, siç thotë ai, një paraqitje të zbukuruar të gjendjes në terren dhe, sipas tij, hapi i ambasadorit Curkin është pasojë e kësaj. Në ditët e fundit, zyrtarë të lartë rusë kanë propozuar vazhdimin e negociatave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe sjelljen e një të dërguari tjetër të OKB-së në vend të ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisaari. Këshilltari Skënder Durmishi thotë se asnjëra nga këto nuk mund të ndodhë. “Është e paarsyeshme, është e panevojshme dhe nuk duhet të ketë vazhdime të mëtejme. Insistimi për këtë çështje është dëshmi e interesimit për të mos gjetur zgjidhje, është mungesë respekti për punën kolosale, që është bërë nga të gjithë dhe, siç u tha nga disa njohës eminentë, për shembull zoti Holbruk, shtyrja ka rreziqet dhe paqartësitë e veta”, thotë Durmishi. Por, Ivanoviq është i bindur, se propozimi rus është një skenar i mundshëm dhe se në dy apo tri javët e ardhshme do të shihet, se sa është e përgatitur kjo iniciativë dhe nëse për këtë tashmë është arritur marrëveshje me amerikanët. Sido që të jetë, përfaqësuesit shqiptarë besojnë se uniteti brenda Grupit të Kontaktit për çështjen e Kosovës do të ruhet, dhe kjo logjikë do të dominojë edhe sa i përket vlerësimit të pakos së Ahtisaarit.
XS
SM
MD
LG