Ndërlidhjet

SHPK: LËVIZJA VAHABI NË KOSOVË NUK KËRCËNON SIGURINË


Zijadin Gashi

Lëvizja sektare Vahabi (Wahhabi) është e pranishme në Kosovë, duke shënuar një përhapje sidomos pas luftës, thuhet në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës. Ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme e ka futur këtë lëvizje sektare si një prej sfidave të sigurisë, policia si dhe Bashkësia Islame dhe njohësit e shoqërisë kosovare, besojnë se lëvizja Vahabi, nuk paraqet ndonjë kërcënim për sigurinë dhe rendin publik në Kosovë. Burim Ramadani, këshilltar i ministrit të Punëve të Brendshme, Blerim Kuçit, thotë se të dhënat lidhur me vahabitë janë siguruar nga policia, dhe në formë të raportit janë prezantuar para Kuvendit të Kosovës në fillim të këtij viti, nga ish-ministri i rendit, Fatmir Rexhepi. Në raport, shton Ramadani, është theksuar se ky sekt në Kosovë është përhapur përmes organizatave humanitare. “Kjo lëvizje ka filluar të përhapet në përmasa të vogla menjëherë pas luftës, ndërkaq është vërejtur një përhapje më e madhe e saj pas vitit 2001. Metodologjia e kësaj lëvizjeje vahabiste në Kosovë, sipas raportit të Shërbimit Policor të Kosovës, është aplikuar përmes organizatave të ndryshme joqeveritare humanitare, të cilat kanë proklamuar ta ndihmojnë popullatën civile në rindërtim e çështje të tjera. Ndërkaq, në raportin e SHPK-së thuhet se qëllimi i këtyre organizatave humanitare, ishte përhapja e ideve vahabiste”, tha Burim Ramadani. Ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme e ka cilësuar si sfidë këtë çështje, SHPK-ja thotë se nuk ka ndonjë indikacion, që këto sekte fetare mund të cilësohen si kërcënim për sigurinë në Kosovë. Zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, thotë se çdo aktivitet i secilës organizatë, pra edhe i atyre humanitare, mbikëqyret dhe monitorohet nga policia. “Secila organizatë, e cila vepron në Kosovë dhe që dyshohet se merret me aktivitet ilegal, monitorohet dhe mbikëqyret nga ana jonë. Për momentin, nuk mund të themi se vahabizmi paraqet ndonjë rrezik për çështjen e sigurisë, rendit e qetësisë publike”, theksoi Elshani. Këshilltari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Haxhi Resul Rexhepi, thotë se sot në botë çështja e vahabistëve gjykohet apriori si diçka ekstreme. Por, për rastin e Kosovës, ai preferon më shumë që të mos paragjykohet diçka e tillë, ngase në asnjë rast këta pjesëtarë nuk e kanë dëshmuar vetën të rrezikshëm për rendin dhe qetësinë publike. “Te ne, në qoftë se njeriu, kalimtari i rastit e sheh dikë me mjekër, e sheh dikë me pantallona të shkurta, apriori e gjykon atë si diçka të papranueshme. Por, kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë, se ata apriori duhet gjykuar se janë ekstremistë, se janë terroristë, se janë njerëz të cilët kanosin gjithmonë sigurinë, që janë rrezik potencial. Unë nuk do të thoja, se duhet apriori gjykuar një gjë të tillë”, u shpreh Haxhi Resul Rexhepi. Nga aspekti shoqëror, profesori i sociologjisë, Ismajl Hasani, thotë se lëvizja sektare Vahabi, në përmasa ndërkombëtare është po aq e rrezikshme, sa edhe trajtat e tjera të militantizmit islamik. Por, në Kosovë, ai beson se nuk mund të jetë e theksuar në këto përmasa. “Këtu vazhdon të predikohet një islamizëm i llojit të vet, që është karakteristik për Evropën Juglindore, e posaçërisht për shqiptarët që i karakterizon fryma e tolerancës, fryma e mirëkuptimit e jo fryma fundamentale”, thotë Hasani. Sekti Vahabi në botë njihet si një lëvizje konservative e islamizmit. Sipas profesorit Ismajl Hasani, ky sekt insiston në mbrojtjen e vlerave ekstreme të islamit dhe ka shtrirje në tërë rruzullin tokësor.
XS
SM
MD
LG