Ndërlidhjet

I DËRGUARI I OKB-SË PROPOZON PAVARËSINË E KOSOVËS


"The Washington Post"

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin, Martti Ahtisaari, ka propozuar që Kosovës t’i jipet një pavarësi e mbikëqyrur, duke e bërë kështu gati skenën për një konfrontim diplomatik midis Rusisë dhe Perëndimit mbi të ardhmen e Kosovës. Zoti Ahtisaari ka arritur në përfundimin se negociatat midis udhëheqësve të Kosovës dhe të Serbisë nuk do të mund të prodhonin kurrë një zgjidhje dhe se Kosova nuk mund të vazhdojë më nën pushtetin e Kombeve të Bashkuara apo atë të Serbisë.
Në një letër që i ka dërguar javën e kaluar sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, e cila do t’i prezantohet Këshillit të Sigurimit të hënën që vjen, zoti Ahtisaari ka thënë se “pavarësia është opsioni i vetëm për një Kosovë me stabilitet politik dhe qëndrueshmëri ekonomike”. Ai gjithashtu ka thënë se tranzicioni formal i pushtetit do të jetë i kushtëzuar nga gatishmëria e udhëheqësve kosovarë që të zbatojnë reformat, përfshirë këtu edhe atë që siguron mbrojtjen e pakicës kombëtare serbe.
Shqetësimet e Rusisë për lëvizjen që mëton pavarësinë e Kosovës janë shtuar edhe publikisht, me kërkesën e ministrit të jashtëm rus, Sergej Lavrov që zoti Ahtisaari të zëvendësohet me një ndërmjetës të ri të përkushtuar në arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë. Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitaly Churkin, ka thënë se “Rusia nuk beson se pavarësia është opsioni i vetëm i mundshëm dhe nuk pajtohet me ngutjen e çështjeve në një situatë ku palët janë ende në mospajtim”.
Liderët evropianë ndërkaq janë të shqetësuar se vendimi i Rusisë për të bllokuar lëvizjen e pavarësinë e Kosovës do të mund të nxisë një përshkallëzim dhune dhe rrjedhimisht edhe valë të refugjatësh në Evropën Perëndimore. Megjithatë, diplomatët amerikanë dhe ata evropianë besojnë se plani i zotit Ahtisaari paraqet bazën e vetme të qëndrueshme për të zgjidhur këtë çështje, por ata mbeten të ndarë mbi mënyrën se si duhet reaguar në rast të vetos së Rusisë; në njërën anë janë vendet që janë të gatshme ta njohin individualisht pavarësinë e Kosovës, kurse në anën tjetër, janë vendet që insistojnë në domosdoshmërinë e një rezolute të Kombeve të Bashkuara. Diplomatët e Kombeve të Bashkuara pohojnë se Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca kanë ende punë për të bërë në grumbullimin e nëntë votave të nevojshme për miratimin e një rezolutës së re në Këshillin e Sigurimit. Kina, Kongo, Gana, Indonezia, Peru, Afrika e Jugut, Sllovakia dhe Katari janë vende që vazhdojnë të kenë rezervat e tyre ndaj pavarësisë.
XS
SM
MD
LG