Ndërlidhjet

FRANCA MBËSHTET PAKON E AHTISAARIT – ËSHTË KUNDËR NEGOCIATAVE SHTESË


Albana Isufi

Franca e përkrah plotësisht pakon e Martti Ahtisaarit, për të cilën konsideron se është zgjidhja më e mirë dhe e balancuar, tha sot në Prishtinë ministri i jashtëm francez, Philippe Douste-Blazy. Ai theksoi se Franca dhe bashkësia ndërkombëtare, do t’i ndihmojnë autoritetet e Kosovës në ndërtimin e një shteti modern. Ndërkaq, për pakon e Ahtisaarit tha se paraqet një rast unik, që siguron stabilitet për Kosovën dhe rajonin. “Është një zgjidhje e balancuar, që lidh aspiratat e shumicës me garanci serioze për komunitetin serb dhe minoritetet tjera. Prania ndërkombëtare, ushtarake dhe civile, do të mbështesë autoritetet e Kosovës në zbatimin e standardeve. Po ashtu, ajo paraqet një garanci të madhe për të gjitha komunitetet”, tha ministri Blazy. Ai është shprehur se Kosova është rast unik dhe se për zgjidhjen e statusit të saj, duhet gjetur një sistem të ri. Ministri Blazy mendon se nuk ka hapësirë për negociata të tjera, siç kanë kërkuar zyrtarët rusë ditëve të fundit. “Zoti Ahtisaari i ka udhëhequr këto negociata për më shumë se një vit. Pra, të gjitha palët kanë pasur kohë, që të shprehin qëndrimet e tyre dhe të dërgojnë propozimet. I dërguari special e ka ndërtuar propozimin e tij në bazë të rezultateve të negociatave, kështu që ne nuk shohim se çka tjetër do të shtynte procesin përpara, dhe u adresohem veçanërisht atyre, që duan negociata të tjera”, theksoi ministri Blazy, duke iu drejtuar me një porosi zyrtarëve rusë. ”Është e rëndësishme që t’i tregohet Rusisë, se Kosova është çështje shumë specifike dhe se duhet gjetur një sistem të ri, që do të lejonte që secili të ketë vend në Kosovë, që ligjet ndërkombëtare të respektohen, që nuk konsiderohet precedent dhe se nuk ka pse të frikësohet askush nga një status i tillë. Ne kemi diskutuar me anëtarët permanentë dhe jopermanentë të Këshillit të Sigurimit, për të gjetur një konsensus të mirë në New York”, u shpreh Blazy. Ai tha se një konsensus i tillë duhet gjetur edhe në nivelin e Bashkimit Evropian. Blazy në takimet që ka pasur me kryeministrin Çeku dhe me anëtarët e Ekipit Negociator, ka thënë se u ka kërkuar atyre ruajtjen e unitetit të brendshëm. Ministri i jashtëm francez pak para largimit nga Kosova, në aeroportin e Prishtinës është takuar me presidentin, Fatmir Sejdiu, me të cilin ka biseduar po ashtu për procesin e statusit. Ndërkaq, zoti Sejdiu, që u kthye pas vizitës në New York, ka siguruar se në dokumentin e Ahtisaarit përmendet qartë fjala pavarësi. ”Përmendet fjala pavarësi, përmendet shumë mirë, është shumë eksplicit dhe shumë i qartë. Mendoj se është një dokument, që sublimon në esencë shumë mirë krejt atë përpjekje, që ka bërë presidenti Ahtisaari, për ta sqaruar nevojën e ecjes së drejtpërdrejtë në përcaktimin e statusit”, tha presidenti Sejdiu. Ai ka theksuar se prilli dhe maji, do të jenë vendimtarë, si dhe periudhë kur do të ketë diskutime intensive për Kosovën. Në anën tjetër, siç njofton zyra për informim e kryeministrit, zoti Çeku i ka thënë ministrit francez se pret që shteti i tij, të ketë një rol aktiv, dinamik dhe unifikues në Këshillin e Sigurimit. Ministri i jashtëm francez pas Prishtinës, do të vizitojë edhe kryeqytetin serb, për të diskutuar çështjen e Kosovës edhe me liderët e atjeshëm.

XS
SM
MD
LG