Ndërlidhjet

PRISHTINA MIRËPRET REKOMANDIMET E AHTISAARIT PËR PAVARËSINË E KOSOVËS


Zijadin Gashi

Dita e sotme paraqet një datë historike për Kosovën, ngase Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, u ka dorëzuar vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, dokumentin dhe rekomandimin e presidentit Ahtisaari për pavarësinë e Kosovës, kanë vlerësuar sot liderët kosovarë. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha në një konferencë për media se e mirëpret qëndrimin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-moon, i cili mbështet plotësisht rekomandimet e presidentit Ahtisaari për pavarësinë e Kosovës. “Pavarësia e Kosovës do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit, të shumicës shqiptare dhe të gjitha komuniteteve pakicë të Kosovës. Pavarësia e Kosovës, e cila fillimisht, sipas planit të Ahtisaarit, do të ketë mbikëqyrje ndërkombëtare, do të jetë në shërbim të paqes, të stabilitetit dhe prosperitetit të përgjithshëm të vendit tonë”, tha presidenti i Kosovës. Pavarësia e Kosovës, theksoi në vazhdim presidenti Sejdiu, i shërben paqes dhe stabilitetit rajonal, sepse po zgjidhet suksesshëm edhe çështja e fundit e pazgjidhur në Evropën Juglindore. Procedimi i dokumentit dhe rekomandimit të Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit, është përshëndetur edhe nga shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joachim Ruecker, i cili ka shprehur besimin e tij, se nga dita e sotme, Kosova po hyn në fazën vendimtare të përcaktimit të së ardhmes së saj. Ndërkohë, edhe kryeministri Agim Çeku, përmes fjalimit të tij drejtuar qytetarëve, tha se Kosova tani pret që bota të bashkohet në përkrahjen e pavarësisë së saj, ngjashëm si në pranverën e vitit 1999, kur bota demokratike ishte vënë në mbrojtje të lirisë së Kosovës. “Letra dhe dokumenti që presidenti Ahtisaari dorëzon sot, kompletojnë kornizën për një zgjidhje përfundimtare të statusit të Kosovës. E para, propozon pavarësi për Kosovën, të mbikëqyrur në fazën e parë, çka është në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës. Dokumenti voluminoz nga ana tjetër, parasheh rregullimin e marrëdhënieve në mes shumicës e pakicës në shtetin e ri, çka kënaq interesat e banorëve serbë të Kosovës”, u shpreh Çeku. Pakoja e Ahtisaarit është përkrahur fuqishëm edhe nga lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se dita e sotme, është një ditë e madhe për Kosovën. “Dita e sotme shënon një hap të madh dhe të rëndësishëm për të ardhmen tonë. Përderisa vazhdojmë në rrugën tonë, PDK-ja do të vazhdojë të jetë partner konstruktiv në përmbylljen e qëllimit tonë, të nisur shumë kohë më parë. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të ndjehen krenarë sot, sepse të gjithë ne, të gjithë ju keni luajtur një rol të rëndësishëm në këto momente të rëndësishme të historisë sonë të re”, theksoi Hashim Thaçi. Liderët kosovarë thanë se e mbështesin plotësisht një prani civile ndërkombëtare edhe pas statusit, e cila do të mbikëqyrte zbatimin e marrëveshjes për statusin, si dhe prezencën e NATO-s. Ndërkohë, ata janë shprehur të bindur se Rusia nuk do ta bllokojë rezolutën e re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, duke pritur kështu që në fund, edhe Moska të reflektojë pozitivisht me qëndrimet e saja për Kosovën, sikurse edhe pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar. Në ditët e ardhshme, sot u paralajmërua që, Kuvendi i Kosovës të mblidhet dhe përmes një deklarate të pranojë dokumentin e presidentit Ahtisaari, në mënyrë që të zyrtarizohet përkushtimi i Kosovës si partner në implementimin e marrëveshjes.
XS
SM
MD
LG