Ndërlidhjet

SERBËT NUK E PRANOJNË PAKON E AHTISAARIT


Rrahman Paçarizi

Anëtari i Ekipit Negociues të Serbisë, Goran Bogdanoviq, ka tërhequr vërejtjen se është e gabueshme përkrahja, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende të Bashkimit Evropian kanë shprehur për planin e zotit Ahtisaari për statusin e Kosovës. Në të vërtetë, në dokumentin që sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara u ka dorëzuar anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, propozohet pavarësi e mbikëqyrur për Kosovën, gjë që është përkrahur qysh dje nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe disa vendeve të tjera. Sipas zotit Goran Bogdanoviq, pavarësimi i Kosovës mund të shkaktojë destabilizim të të gjithë rajonit. Ai pret që ky qëndrim i Shteteve të Bashkuara të zbutet në njëfarë mënyre në Këshillin e Sigurimit, duke pasur parasysh gatishmërinë e Serbisë për bisedime të mëtejshme. “Propozimi, që e ka bërë zoti Ahtisaari, në fakt është zgjidhje e imponuar dhe një zgjidhje me të cilën njëra palë i fiton të gjitha, ndërsa pala tjetër i humb të gjitha”, tha Bogdanoviq, duke e cilësuar këtë arsyen kryesore, pse Serbia nuk mund të jetë e kënaqur dhe ta pranojë një zgjidhje të tillë. Bartësi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq, mendon se kjo mbështetje amerikane është në fakt përpjekja e fundit e amerikanëve, për ta ruajtur unitetin në Grupin e Kontaktit. Prandaj, sipas zotit Ivanoviq, ky më shumë është një hap marketingu, pasi dihet mirë se cila është procedura e marrjes së vendimeve në Këshillin e Sigurimit. “Nëse rusët do të jenë këmbëngulës se do ta përdorin veton, atëherë mbase as që do të thirret mbledhja e Këshillit të Sigurimit, në të cilën do të diskutohej për këtë propozim”, tha Ivanoviq. Sipas tij, propozimi do të kalonte në plan të dytë dhe do të mund të pranohej ndoshta vetëm pjesa, që ka të bëjë me modalitetet e misionit të Bashkimit Evropian, ndërsa për pjesën tjetër do të diskutohej më tej. Ndërkaq, kryetari i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviq, thotë se deklaratat e nënsekretarit Burns dhe të zyrtarëve të tjerë amerikanë, nuk janë produkt i një politike serioze dhe të balancuar në raport me të dyja palët, ndërkohë që sipas tij, Rusia ka një qëndrim më të drejtpeshuar në raport me palët e përfshira. “Ky plan është krejt i papranueshëm, qoftë për serbët e Kosovës, qoftë për pushtetin në Serbi”, tha Milan Ivanoviq, duke mbështetur shpresat tek qëndrimi rus për vazhdimin e bisedimeve. Milan Ivanoviq mendon se jo gjithçka varet nga Shtetet e Bashkuara, prandaj shpreson se plani nuk do të miratohet në Këshillin e Sigurimit. Pothuajse njëjtë mendojnë edhe qytetarët serbë të pjesës veriore të Mitrovicës. Aleksandar Jeroviq tha: “Shteti serb, ndonjë anëtar i Grupit të Kontaktit, e posaçërisht Rusia, nuk do ta pranojnë një plan të tillë, të Ahtisaarit”. Ndërsa Svetlana Trifunoviq, po ashtu banore e pjesës veriore të Mitrovicës, tha: “Krejt çka mund të them është, se kjo është e tmerrshme dhe Ahtisaari asnjëherë nuk është brengosur për interesat e serbëve, prandaj nuk e di pse është harxhuar kohë dhe para, kur është ditur se do të propozohet pavarësia për Kosovën”.
XS
SM
MD
LG