Ndërlidhjet

SEJDIU FTON KËSHILLIN E SIGURIMIT TË NJIHET ME KOSOVËN E RE


Zijadin Gashi

Rusia ka hezitime, por nuk ka një deklarim të prerë të Moskës, se do të bllokojë procesin e nxjerrjes së vendimit të përbashkët në Këshillin e Sigurimit për statusin e Kosovës, ka pohuar sot presidenti Fatmir Sejdiu. Presidenti kosovar tha, se Rusia do të jetë faktor i rëndësishëm për miratimin e vendimit të përbashkët në kuadër të Këshillit të Sigurimit, sikurse që ka qenë faktor i rëndësishëm në Grupin e Kontaktit. Zoti Sejdiu theksoi se i ka ftuar ambasadorët e vendeve të Këshillit të Sigurimit, që të vijnë në Kosovë dhe të njoftohen për së afërmi me të arriturat e saja, në kohën kur propozimi për pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën është në shqyrtim në New York. “Unë i kam ftuar vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, ejani e shihni Kosovën e re, ejani e shihni jetën reale si është zhvilluar në Kosovë, dhe ejani e shihni përkushtimin e institucioneve dhe popullit të Kosovës, se ku duam të ecim dhe cila është dëshmia jonë në këtë drejtim. Në veçanti, i kam ftuar përfaqësuesit e atyre vendeve, që ende nuk kanë një deklarim të qartë rreth statusit; ta zëmë ndonjë vend nga Afrika, Indonezia e largët apo Amerika Latine”, tha presidenti Sejdiu. Ai sot, ka marrë pjesë edhe në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, duke i rikonfirmuar kështu mbështetjen ekzekutivit kosovar, në kohën kur mediet vendore patën paralajmëruar mundësinë e koalicioneve të reja, në prag të nxjerrjes së rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Zoti Sejdiu tha se i rikonfirmonte mbështetjen Qeverisë, ndërkohë që ka kërkuar nga ekzekutivi, një punë edhe më dinamike në plotësimin e standardeve dhe çështjeve, që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes për statusin. “Fokusova vëmendjen time, që Qeveria të shtojë angazhimet e saja, që ka potenciale edhe më tepër për të realizuar projektin e vet, për të realizuar pjesën e standardeve. Dhe, po kështu them, se janë një pjesë e obligimeve të drejtpërdrejta, që do t’i ketë para vetes e që duhet të implementohen në periudhën tranzitore dhe në periudhën e ecjes së parë të Kosovës, në ditën e pas njohjes së pavarësisë”, tha presidenti Sejdiu. Në anën tjetër, kryeministri Agim Çeku tha se e ka siguruar presidentin e Kosovës, se Qeveria është e gatshme dhe e aftë, që t’i zbatojë të gjitha detyrat dhe çështjet që dalin si obligime nga pakoja e Ahtisaarit, përkatësisht marrëveshja për statusin e Kosovës. “Pa asnjë dyshim, Qeveria i ka të gjitha kapacitetet që të implementojë pakon e Ahtisaarit. Grupi i Unitetit është grup që jep orientime politike dhe nuk është organ ekzekutiv. Ne jemi organ ekzekutiv. Ne e kemi mandatin, që na jep Korniza dhe Parlamenti dhe në të ardhmen jemi ata, që do ta implementojmë pakon e Ahtisaarit në dinamikën e paraparë”, pohoi zoti Çeku. Ndërsa opozita tashmë është deklaruar, se Qeveria ka humbur legalitetin dhe legjitimitetin, në anën tjetër partnerët në koalicion, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, këto ditë kanë rikonfirmuar vazhdimin e koalicionit, duke pohuar të kundërtën me atë që ka theksuar opozita. Ndryshe, po sot, një drekë pune me Qeverinë e Kosovës kanë zhvilluar edhe shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joachim Ruecker, dhe zëvendësi i parë i tij, Steeven Schook.
XS
SM
MD
LG