Ndërlidhjet

(MOS)TRANSPARENCA E KUVENDIT TË KOSOVËS


Albana Isufi

Kuvendi i Kosovës kritikohet për mostransparencë jo vetëm nga shoqëria civile e mediat, por edhe nga vetë parlamentarët. Takimet e mbyllura të Kryesisë së Kuvendit, mosqasja në projekt-ligje derisa janë duke u përgatitur, mosqasja në procedurat e prokurimit, janë vetëm disa nga çështjet që shqetësojnë shoqërinë civile. Gazmend Syla, redaktor në të përditshmen Koha Ditore, thotë se këto çështje bëjnë që gazetarët të kenë vështirësi në ofrimin e një pasqyre reale të punës së Kuvendit. “Shumica e vendimeve që kanë të bëjnë me Kuvendin e Kosovës, merren në Kryesi, e njerëzit dhe gazetarët nuk kanë qasje në ato mbledhje. Qasja në dokumentacion para miratimit final të atij dokumentacioni, po mendoj për projekt-ligje, është e një rëndësie shumë të madhe”, tha Syla. Ndërkaq, Avni Zogiani i Organizatës Joqeveritare Kundër Korrupsionit “Çohu”, thotë se e keqja më e madhe është se deputetët, në të shumtën e rasteve, rrinë indiferentë ndaj keqpërdorimeve. “Janë indiferentë, për shkak të ndikimeve politike dhe jashtëpolitike. Shumë problem i madh është ndikimi i strukturave të krimit të organizuar në politikë, do me thënë këto janë probleme që e zhvlerësojnë transparencën, sepse praktikisht ato janë arbitrare”, tha Zogiani. Deputetët pranojnë se mungon transparenca. Sanije Aliaj, deputete e LDK-së, përmend rastet kur edhe vetë parlamentarët pësojnë nga mungesa e transparencës. “Unë konkretisht, nuk kam qasje dhe nuk kam informata se çka bëjnë komisionet tjera, që unë konsideroj se komisionet parlamentare janë truri i Kuvendit të Kosovës, se ato përgatisin paraprakisht tërë seancën parlamentare. Prandaj, mostransparenca në komision krijon hendikep te deputetët”, tha Aliaj. Ndërkaq, Berat Luzha, deputet i partisë më të madhe opozitare, PDK-së, pajtohet se nuk ka transparencë dhe fokusohet sidomos në punën e Kryesisë së Kuvendit. Luzha thotë se është i domosdoshëm krijimi i komisioneve hetimore për çështje të caktuara, për të cilat janë vërejtur parregullsitë. “Vetëm një komision hetimor kemi mundur ta ngrisim deri tash. Ka pasur kërkesa që të ngriten të tjerë, por me vota janë hedhur poshtë kërkesat. Mendoj se këtu, Kuvendi ka nevojë të korrigjohet shumë, sepse komisionet hetimore janë mekanizma që qesin në shesh të palarat”, theksoi Luzha. Por, shefi i Zyrës për Media në Kuvendin e Kosovës, Sherif Konjufca, thotë se mekanizmat që marrin vendime, siç është Kryesia e Kuvendit, mbajnë takime të mbyllura edhe në vendet tjera, dhe këtu, sipas tij, nuk bën përjashtim Kosova. “Është instaluar një praktikë, që bashkë me Kryesinë, marrin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare. Të gjithë këta komunikojnë me opinionin dhe e vërteta del jashtë”, tha Konjufca. Franklin DeVrieze, nga Departamenti për Demokratizim i OSBE-së, ka vëzhguar punën e legjislativit kosovar, që nga fillimi. Ai thotë se legjislatura e dytë ka përparuar, krahasuar me atë të mandatit të parë. Megjithatë, ai porosit kosovarët se tani është koha më e ndjeshme, në të cilën ata duhet të tregojnë se respektojnë parimet demokratike dhe dinë të udhëheqin institucionet. “Kuvendi ka rol më të madh, sesa vetëm votimin e ligjeve. Duhet të sigurohet se Qeveria po i miraton ligjet. Në këtë kohë, Kosova po vëzhgohet shumë me kujdes nga komuniteti ndërkombëtar, nga shtetet që kanë simpati për Kosovën, por edhe nga shtetet tjera. Kështu që është e rëndësishme, që në të vërtetë, kur Kuvendi të votojë ligjet, të ruajë atë përkushtim dhe të sigurojë se Qeveria po bën gjithçka që është e mundur, për t’i implementuar ata”, tha Franklin DeVrieze.
XS
SM
MD
LG