Ndërlidhjet

BETEJA PËR KOSOVËN


Tim JUDAH / International Security Network

Askush asnjëherë nuk ka pritur se zgjidhja e problemit të Kosovës do të jetë e lehtë. Diplomatët evropianë dhe ata amerikanë tani janë duke e zbuluar se gjetja e zgjidhjes në fakt do të jetë shumë më e vështirë se që është pritur fillimisht. Të martën, për herë të parë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë planin për pavarësinë e Kosovës dhe sesioni nuk pritet të jetë i lehtë. Për shumë diplomatë evropianë, amerikanë dhe të tjerë që merren me çështjen e Kosovës, plani i zotit Ahtisaari tingëllon i logjikshëm, kjo për faktin se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme dhe është më e preferueshme që procesi i pavarësimit të mbikëqyret se sa të lejohet lindja e një shteti të ri në mënyrë të pakontrolluar, kaotike dhe mbase edhe të dhunshme. Por, nëse është e qartë se Rusia, e cila thotë se e kundërshton planin, do ta kundërshtojë atë edhe në Këshillin e Sigurimit, atëherë diplomatët parashikojnë se Kosova do ta shpallë pavarësinë e saj në mënyrë të njëanshme, se plani i Ahtisaarit do të përfundojë në një kosh mbeturinash, se dhuna do të rikthehet dhe do të zhvillohet një situatë kaotike tek vendet që do ta njohin dhe ato që do ta kundërshtojnë këtë pavarësi. Meqë ky skenar është i qartë për shumë diplomatë, ata kanë shpresuar se Rusia do të heqë dorë nga qëndrimi i saj për të arritur përfitime të tjera kudo në botë, por diplomatët rusë nuk kanë dhënë shenja të tërheqjes. Një burim i lartë diplomatik ka thënë se takimin e nesërm të Këshillit të Sigurimit do të mund ta pasojnë disa zhvillime. Sipas këtij burimi, ka shumë gjasë që Shtetet e Bashkuara të hapin bisedimet të fshehta bilaterale me Rusinë, për të kuptuar se cili është cmimi që Moska ka vënë për ta pranuar ose të paktën për të mos e kundërshtuar planin e zotit Ahtisaari. Në mungesë të marrëveshjes dhe shpalljes eventuale të njëanshme të pavarësisë së Kosovës, fillon edhe një betejë e re diplomatike. Zoti Ahtisaari, Britania e Madhe dhe vendet tjera të fuqishme të Bashkimit Evropian duan të sigurojnë një unitet të bllokut evropian në mbështetje të planit, por nëse kjo nuk arrihet, do të jetë ë vështirë për vendet sikur që është Britania e Madhe që ta njohë pavarësinë e Kosovës, nëse vendet tjera e kundërshtojnë. Shtetet e Bashkuara ndërkaq, edhe pse më herët është thënë se do të mund ta njohin shpalljen e njëanshme të pavarësisë, ato ende nuk e kanë një strategji të formuluar mbi këtë çështje dhe mbase do të preferonin që mos ta bëjnë një gjë të këtillë të vetëm. Sesioni i nesërm i Këshillit të Sigurimit shënon fillimin e një periudhe të re në betejën diplomatike për Kosovën, por aksioni i vërtetë do të zhvillohet në prapaskenë. Dhe nëse këto përpjekje dështojnë, skenari i makthit mund të bëhet realitet, serbët mund të spastrohen etnikisht në Kosovë dhe të largohen prej andej, ndërkaq veriu mund të shkëputet në tërësi nga ky shtet i ri.
XS
SM
MD
LG