Ndërlidhjet

KËSHILLI I SIGURIMIT FILLOI DISKUTIMIN PËR KOSOVËN


Nik Krastev, Nju Jork

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka filluar mbrëmë debatin për propozimin që Kosovës t'i jepet pavarësi e mbikëqyrur ndërkombëtarisht.
Propozimi i të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, por Rusia, e cila është anëtare me të drejtë të vetos në Këshillin e Sigurimit, ka shprehur kundërshtim.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nuk foli në Këshillin e Sigurimit, por ai ishte i pranishëm në takim. Ai u tha gazetarëve në selinë e Kombeve të Bashkuara se kjo ishte ditë shumë e rëndësishme për Kosovën.
"Për ne është e rëndësishme që ta ndërtojmë vërtetë një shtet të pavarur, një shtet modern dhe të vlerave demokratike, që do të ketë respekt ndaj të gjithë qytetarëve dhe poashtu, që Kosova t'i marrë përgjegjësitë e veta si faktor i rëndësishëm i zhvillimeve dhe i stabilitetit të përgjithshëm", tha Sejdiu.
Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit, e përsëriti qëndrimin e Beogradit që është i gatshëm t'i japë Kosovës "shkallën më të lartë të autonomisë", por jo pavarësi.
"Ishte shumë e qartë se gjërat nuk kanë ecur lehtë, ishte shumë e qartë se shumë vende dhe disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit për disa muaj kanë kundërshtuar propozimin e Ahtrisaarit. Ne pamë edhe në takimin e ministrave të BE-së në Bremen të Gjermanisë se disa vende të Bashkimit Evropian poashtu nuk janë të kënaqura me propozimin e Ahtisarit. E gjithë kjo së bashku më bën optimist", tha Vojisllav Koshtuinca, para gazetarëve në selinë e OKB-së.
Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitaliy Churkin e përshkruajti mbledhjen e Këshillit të Sigurimit si të mirë, dhe tha se Moska do të vazhdojë ta shtyjë propozimin e saj për dërgimin e misionit fakt-mbledhës në Prishtinë dhe Beograd.
"Unë nuk mendoj se dikush ka pritur që Këshilli Sigurimit do të arrijë ndojë lloj vendimi sot. Nuk ka pasur përpjekje për arritjen e përfundimit por dikush mund ta ketë ndjenjën, kështu mendoj unë, se anëtarët e Këshillit të Sigurmit, pjesa më e madhe e tyre, ishin në disponim reflektiv. Ne po përpiqemi ta analizojmë situatën dhe të përpiqemi ta gjejmë mënyrën më të mirë për të ecur përpara", tha Vitaliy Churkin.
Propozimi i Rusisë për dërgimin e misionit fakt- mbledhës është pritur me reagime të përziera në Këshillin e Sigurimit. Kina dhe disa anëtarë jo të përhershëm të këshillit shprehën mbështetje për këtë mision. Por, tre anëtarët e tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Britania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara, propozimin e Rusisë e shohin thjeshtë si mënyrë për shtyrje të vendimit, që sipas tyre duket se është i pashmangshëm.
Alejandro Wolff, ushtrues detyre i ambasadorit amerikan në Kombet e Bashkuara, e ripërsëriti mbështetjen e fuqishme të Uashingtonit për propozimin e Martti Ahtisaarit. Ai tha se ky plan është "i vetmi opsion real i mundshëm". Por Wolff njëherësh pranoi se ekziston njëfarë polarizimi brenda Këshillit të Sigurimit për statusin e Kosovës. Ai tha se shqetësimet në masë të madhe kanë të bëjnë me situatën në pjesët e tjera të botës. Por, Wolff tha se Kosova është rast unik dhe se nuk duhet të shërbejë si precedent.
"Pjesa më e madhe e shqetësimeve tentojnë të jenë ato për precedent lidhur me rajonet e tyre dhe territoret afër tyre. Kjo ka shumë pak të bëjë me situatën aktuale në Kosovë dhe realitetet e situatës në Ballkan. Pra, është nevoja e më tepër informacioneve, e shumë më tepër pyetjeve dhe ne do të vazhdojmë një fushatë njohjeje për të shpjeguar përse situata është unike dhe përse propozimet e Ahtisaarit janë gjëja e drejtë për të vazhduar", tha Wolff.
Rusia ishte veçanërisht kritike ndaj Shteteve të Bashkuara. Moska ka argumentuar se nëse Kosovës i jepet pavarësi, atëherë trajtim të njejtë duhet të ketë edhe Abkhazia apo Osetia Jugore, që po kërkojnë pavarësi nga Gjeorgjia, fqiu jugor i Rusisë.
Ambasadori i Rusisë, Churkin shprehu zemërimin e tij kur përfaqësuesi i shqiptarëve të Kosovës u lejua që të marrë pjesë në Këshillin e Sigurimit. Ai tha se më herët këtë vit, përfaqësuesve të Abkhazisë nuk u ishin dhënë vizat e Shteteve të Bashkuara, kur ata kishin dëshiruar që Këshillit t'i sqaronin qëndrimin e tyre.
Ish presidenti finlandez, Martti Ahtisaari në planin e tij ka konkludar se pavarësia është e vetmja zgjidhje për Kosovën.
Duke folur pas takimit të Këshillit të Sigurimit, Ahtisari tha se ai nuk e ka ndërmend që ta ndryshojë propozimin e tij, i cili nga qeveria e Serbisë ishte përshkruar si "ushtrim i papërdorshëm".
"Totalisht nuk pajtohem se kjo ishte ushtrim i papërdorshëm sepse në të kundërtën, ne nuk do të mund ta bënim propozimin që e kemi bërë. Ne kemi kaluar nëpër diskutime të ndryshme. Nuk mendoj se zgjatja e këtyre bisdimeve do të ndihmojë në çështjen e statusit", tha Ahtisari.
Ambasadori i Britanisë, Emir Jones Parry tha se ekzistonte një "mbështetje e konsiderueshme" brenda Këshillit të Sigurimit për propozimin e Ahtisaarit që Kosovës t'i jepet pavarësi e mbikëqyrur. Por, Perry, i cili është edhe kryesues i Këshillit të Sigurimit këtë muaj, tha se votimi për këtë çështje nuk mund të pritet shpejtë.
Sipas pikëpamjes së Britanisë së Madhe, një Kosovë e pavarur nënkupton stabilitet në Ballkan dhe sigurimi i rrugës për anëtarësim në strukturat evropiane, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë:
"Ajo që është në ofertë është një proces i menaxhuar, një proces që do të çojë drejt pavarësisë, por kjo do të bëhet në mënyrë që të plotësohen synimet. Për arsye se dimensioni evropian i kësaj, besojmë se është ajo që ofrohet për Kosovën, kjo poashtu ka rëndësi të madhe për Serbinë dhe për vendet e Ballkanit. Ky aktualisht është aderimi në struktuart evro-atlantike", tha ambasadori Perry.

XS
SM
MD
LG