Ndërlidhjet

SEJDIU: NË KS DO TË KETË MBËSHTETJE REZOLUTA E RE PËR KOSOVËN


Zijadin Gashi

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, është kthyer nga seanca e 3 prillit në Këshillin e Sigurimit, në të cilën presidenti Martti Ahtisaari ka elaboruar propozimin dhe rekomandimin e tij për pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën, me optimizëm se Kosova po siguron mbështetjen e nevojshme për statusin e saj, si një vend i pavarur. Me t’u kthyer nga New York-u, Sejdiu tha se beson, që nuk do të ketë zvarritje në procesin e statusit dhe se vendet anëtare do të gjejnë gjuhë të përbashkët, në mënyrë që Këshilli i Sigurimit të miratojë rezolutën e re për Kosovën. “Unë nuk kam mbledhur tërësinë e votave, por mendoj se do të jetë një mbështetje e mirë, që do të sigurojë kapërcimin e një rezolute të re për Kosovën, që do të mbështesë propozimin e presidentit Ahtisaari”, tha Sejdiu. Presidenti i Kosovës përshëndeti paraqitjen e Ahtisaarit para Këshillit të Sigurimit dhe argumentimin që ai i ka bërë opsionit të pavarësisë për Kosovën, si zgjidhje e vetme e qëndrueshme. Po ashtu, Sejdiu e ka falënderuar edhe shefin e UNMIK-ut, Joachim Ruecker, i cili lexoi fjalimin e presidentit të Kosovës para Këshillit të Sigurimit, pasi që atje ishin paraqitur pengesa procedurale, që Sejdiu t’i drejtohet vetë kësaj instance. Sejdiu tha se mesazhet e tij janë prezantuar qartë dhe drejt nga ana e Rueckerit. “Do të ishte shumë më mirë, absolutisht, që unë të prezantoj. Por, është bërë një zgjedhje e tillë kompromisi dhe fjalimi është paraqitur në emrin tim. Pra, figuron në emër të presidentit të Kosovës, me emër dhe mbiemër. Natyrisht, që ka pasur reagime të vendeve që shohin, se mos me këtë paragjykohet statusi i Kosovës dhe vendeve që mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe që janë deklaruar realisht. Unë nuk e shoh këtë si diçka, që mund të jetë pengesë në punën e mëtejshme”, theksoi Sejdiu. Në vazhdim, presidenti Sejdiu ka përshëndetur qëndrimet e atyre vendeve, që i dhanë mbështetje propozimit të Ahtisaarit. Ndërkohë, ai tha se kishte zhvilluar takime të veçanta edhe me vendet, që kanë pak njohuri për Kosovën, për të siguruar mbështetjen e tyre. Po sot, nga New York-u është kthyer edhe shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, i cili pati udhëtuar atje me urgjencë, për të paraqitur qëndrimet e presidentit Sejdiu para Këshillit të Sigurimit. “Mendoj se është mjaft me rëndësi që të nënvizojmë se Këshilli i Sigurimit, jo vetëm se tash po merret në plotëni me këtë çështje, por edhe të përmendet fakti se kryesuesi i radhës, presidenca britanike, ndër të tjera ka pohuar se pakoja e Ahtisaarit ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Ruecker. Qëndrimi unik i BE-së, shtoi Ruecker, do të jetë në agjendën e politikës evropiane. Pas kthimit nga New York-u, presidenti Fatmir Sejdiu dhe Ekipi Negociues kanë zhvilluar sonte një takim me Kryesinë e Kuvendit të Kosovës. Nga ky takim është konfirmuar, se për nesër është caktuar një seancë e posaçme plenare, në të cilën Kuvendi me një deklaratë do të mbështesë pakon e Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën. Njëkohësisht, me këtë deklaratë, Kuvendi në emër të Kosovës, merr përsipër zotimin për zbatimin e marrëveshjes për statusin, sapo në Këshillin e Sigurimit të jetë miratuar rezoluta e re për Kosovën.
XS
SM
MD
LG