Ndërlidhjet

PIERCE:"SHUMICA MBËSHTESIN PAKON E AHTISAARIT"


Karen PIERCE, zëvendëse e ambasadorit të Britanisë së Madhe në OKB

RADIO EVROPA E LIRË
Këshilli i Sigurimit filloi diskutimin e pakos së Ahtisarit. Cilat janë qëndrimet e shumicës së vendeve anëtare rreth pakos në fjalë?

KAREN PIERCE
Këshilli i Sigurimit pati një debat shumë të mirë rreth propozimit të Ahtisarit. Zoti Ahtisari e paraqiti propozimin e tij, që më parë i ishte dorëzuar dhe pati marrë mbështetjen edhe të kreut të Kombeve të Bashkuara. Presidenti Ahtisari e bëri të qartë se opcioni i vetëm i qëndrueshëm dhe i vetmi opcion zbatimi i të cilit mund t'i kërkohet NATO-s dhe BE-së është pavarësia e Kosovës nën mbikqyrjen ndërkombëtare.
Sa i përket Këshillit të Sigurimit ka pasur një numër të madh pyetjesh për detajet e propozimit të tij. Anëtarët e Këshillit shprehën respektin për personalitetin e presidentit Ahtisari, kur dihet se ai ka ndërmjetësuar një numër konfliktesh në pjesë të ndryshme të globit, përfshi Namibinë, Acen apo dhe në vendin tim, në Irlandën e Veriut.
Shumë pyetje lidheshin me faktin se përse vonesat nuk do të ishin të frytshme dhe përse nuk duhen bisedime të tjera. Zoti Ahtisari dha shpjegimet e nevojshme, që ishin në të njëjtën linjë me ato që ai ka deklaruar në publik deri tani.
Një numër i madh i vendeve anëtare mbështeti jo vetëm përpjekjet, por dhe paketën e zotit Ahtisari.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa vende anëtare në Këshillin e Sigurimit kanë rezervat e tyre ndaj propozimit të zotit Ahtisari për shkak të problemeve të brendshme. Çfarë garancish mund t'i ofrojë Këshilli i Sigurimit këtyre vendeve se Kosova është rast unik?

KAREN PIERCE
Mendoj se në një shkallë të gjerë ekziston perceptimi se Kosova është rast special. Kjo lidhet me mënyrën se si u shpërbë ish-Jugosllavia dhe shkallës së gjerë të përfshirjes së bashkësisë ndërkombëtare në rajon që nga vitet '90. Është kuptuar mirë se Kosova është pjesa e fundit e mozaikut ballkanik.
Po rritet mirëkuptimi brenda bashkësisë ndërkombëtare se ajo që presidenti Ahtisari ofron për Kosovën është shumë e ngjashme me atë që bashkësia ndërkombëtare bëri në Bosnjë në 1995.
Ju me të drejtë e thoni se një pakicë e rëndësishme e vendeve anëtare të KS-së kanë nevojë për garanci se Kosova nuk do mund të përdoret si precedent nga grupe që kërkojnë të shfrytëzojnë një situatë të tillë.
Ne mund ta bëjmë të qartë në Këshillin e Sigurimit, në shumë mënyra se ne nuk do pranojmë përpjekjet e çfarëdo grupi që të përdorë Kosovën për të krijuar precedent.
Në mbështetje të Kosovës si rast unik vjen dhe fakti se Këshilli i Sigurimit po e merr vendimin në mbështetje të presidentit Ahtisari dhe nuk ka asnjë pjesë tjetër të botës që është administruar nga Kombet e Bashkuara.
Në mbështetje të asaj se rasti i Kosovës është i ndryshëm mund të sillen argumenta shumë të fuqishme.
Përveç këtyre që thashë deri tani është e rëndësishme që njerëzit e kuptojnë se çfarë do ndodhë nëse nuk e bëjmë një gjë të tillë në mënyrë të programuar dhe të mbikqyrur.
Ajo çfarë kishim në vitet '90 kur u shpërbë Jugosllavia ishte një proces kaotik, i njëanshëm, të cilin po përpiqemi ta mënjanojmë sot në rastin e Kosovës.
Diskutimet me presidentin Ahtisari pak ditë më parë treguan se një proces kaotik dhe i njëanshëm është shumë më i keq se sa përpjekjet e Këshillit të Sigurimit që ta menaxhojnë dhe mbikqyrin procesin.
Ndoshta është e pazakontë ajo çfarë po bën Këshilli i Sigurimit, por vetë rrethanat e Kosovës janë të pazakonta në atë tërësi rrethanash specifike të kontekstit ballkanik.

RADIO EVROPA E LIRË
A po negocioni me Rusinë dhe a jeni optimist rreth qëndrimit rus kur projekt rezoluta për Kosovën do vihet në tryezën e diskutimit në Këshillin e Sigurimit?

KAREN PIERCE
Është e rëndësishme që të jesh optimist dhe të hysh në negociatat ndërkombëtare me besim. Gjithashtu duhet besuar se partneri juaj në negociata ka të njëjtin tendencë.
Nuk dua të komentoj rreth asaj se si do votojë Rusia, por do thosha se ne i marrim seriozisht shqetësimet e Rusisë. Kemi punuar ngushtë me Rusinë në ish Jugosllavi, për Kosovën në Grupin e Kontaktit dhe duam të vazhdojmë të punojmë me ta në Këshillin e Sigurimit për të mbështetur propozimin e presidentit Ahtisari.
Themelore është se ne mbështesim propozimin e presidentit Ahtisari dhe nuk do ndryshojmë aspak qëndrim. Ajo që do bëjmë është të marrim dhe mbështetjen e pjesës tjetër të Këshillit të Sigurimit përfshi dhe Rusinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por çfarë konkretisht do bëni për të marrë mbështetjen ruse për propozimin e presidentit Ahtisari?

KAREN PIERCE
Rusia ka shqetësimet e saj, disa nga të cilat janë historike dhe të tjerat janë pasojë e asaj se e shohin Evropën në mënyrë të ndryshme nga ne.
Ne do t'i shpjegojmë Rusisë përse e shohim propozimin e presidentit Ahtisari si të vetmen zgjidhje të qëndrueshme. Në mbështetje të kësaj ideje do theksojmë faktin se NATO-ja dhe BE-ja do marrin në dorë misionin në Kosovë në një të ardhme jo të largët, derisa më pas gradualisht kosovarët do drejtojnë vetë punët e tyre.
Pra do kemi një prani civile dhe ushtarake që do garantojë zbatimin e marrëveshjes. Është e rëndësishme që vende si i imi, që janë anëtarë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian t'ia bëjnë të qartë Rusisë se Kosova është problem evropian dhe ne do jemi përgjegjës për të. Rusia i ka tërhequr trupat nga KFOR-i disa vite më parë. Kjo është dhe tregues i rëndësisë relative që ka Kosova për Rusinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush kur do jetë e mundur të kemi projekt rezolutën e re për Kosovën? A do jetë e mundur kjo gjatë presidencës tuaj apo asaj të Shteteve të Bashkuara?

KAREN PIERCE
Ajo që mund të them në këtë drejtim është se do ta kemi projekt rezolutën në javët e ardhshme. Afatet e sakta kohore do varen nga detyrimet e Këshillit të Sigurimit në të tjera çështje si dhe nga zhvillimet në Kosovë e në vecanti nga ajo se çfarë do vendoset nga Grupi i Kontaktit në ditët dhe javët e ardhshme.
Ne presim që projekt rezoluta të vijë në Këshillin e Sigurimit brenda pak javësh, por nuk dua të japë data të sakta në këtë moment.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur do jetë takimi i ardhshëm për Kosovën në KS?

KAREN PIERCE
Nuk është paraparë ndonjë takim zyrtar i Këshillit të Sigurimit, por ka një morri mënyrash të takimeve jo zyrtare të Këshillit të Sigurimit. Kosova mund të jetë pjesë e tyre në çdo kohë.
Hapi tjetër ndoshta do jetë mbledhja ku do diskutohet nëse do ketë takim familjarizimi të Këshillit të Sigurimit në Kosovë dhe çfarë forme do të ketë ai. Ne po bisedojmë me partnerët tanë rreth kësaj çështje dhe shpresoj që vendimi të merret në ditët që vijnë. Nuk e di nëse do jetë e mundur të kemi një mision të tillë në Kosovë, por padyshim që është një çështje që do diskutohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke qëndruar tek ky mision i mundshëm, kreu i UNMIK-ut dhe udhëheqësit e Kosovës e kanë cilësuar si humbje kohe. Çfarë do të thoshit?

KAREN PIERCE
Nuk kam parë ndonjë deklaratë të udhëheqësve të Kosovës që ta quajnë një mision të tillë si humbje kohe. Nuk e di nëse do ndodhë një mision i tillë, por ai dëshmon se një pjesë e vendeve anëtare janë të interesuara për çështjen e Kosovës.
Shumica e vendeve jo evropiane, anëtare të Këshillit të Sigurimit, nuk kanë zyrat e tyre në Kosovë dhe kjo është një çështje e re për ta në një farë mënyre. Është normale që disa vende duan të jenë familjare me situatën në terren. Ne e shohim një vizitë të tillë më shumë si vizitë familjarizimi që do t'i mundësojë vendeve anëtare të shohin se si është ky territor për të cilin po diskutojmë. Nuk besoj se ka diçka për t'u shqetësuar me një vizitë të tillë. Por e përsëris se vendimi mbi misionin në fjalë do merret pas disa ditësh.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG