Ndërlidhjet

EKIPI NEGOCIUES DISKUTON KRITERET PËR SIMBOLET


Zijadin Gashi

Ekipi Negociues ka diskutuar sot përcaktimin e kritereve, për shpalljen e konkursit për simbolet e Kosovës. Ndonëse nuk është marrë një vendim definitiv, u tha se kjo çështje do të diskutohet sërish në kuadër të Kuvendit dhe Ekipit Negociues, deri në përcaktimin e qartë se çfarë simbolesh, përkatësisht flamuri, steme dhe himni do të ketë Kosova. Që nga 12 marsi, kur Kryesia e Kuvendit pati marrë vendim që konkursi të shpallet, që nga atëherë pati mbetur si çështje e hapur, se a do t’i ketë Kosova simbolet që pasqyrojnë shumë-etnicitetin e saj, siç përmendet në pakon e Ahtisaarit, apo simbole të cilat nuk kanë të bëjnë me simbole kombëtare të asnjë etnie, që jeton në Kosovë. Pas takimit të sotëm, është prononcuar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se Kosova duhet t’i përfundojë të gjitha përgatitjet, në mënyrë që ta presë e përgatitur ditën e parë pas statusit. “Diskutuam për çështjen e simboleve. Besoj se do të kemi një përkushtim të përbashkët, të nxjerrim simbole unifikuese, simbole shtetërore, që Kosova të jetë e përgatitur me gjithçka për ditën e pavarësisë, pas nxjerrjes së rezolutës nga Këshilli i Sigurimit. Simbolet kombëtare i kemi, do t’i kemi edhe simbolet shtetërore”, pohoi Thaçi. Për dallim nga deklarata e djeshme e kryetarit të Kuvendit, Kolë Berisha, i cili tha se kriteret për simbolet e Kosovës tashmë janë përcaktuar dhe se konkursi do të shpallet javën e ardhshme, Hashim Thaçi tha sot se ka mbetur që të diskutohet edhe ditëve në vijim, lidhur me kriteret dhe nuk parashikoi kohën kur do të shpallet konkursi. “Konkursi do të diskutohet prej Kryesisë dhe prej shefave të grupeve parlamentare e pastaj edhe në Ekipin e Unitetit, dhe mandej do të caktohen kriteret bazë. Ende nuk ka vendim definitiv, por ka filluar të diskutohet në mënyrën më serioze të mundshme. Por, njëherë duhet të fokusohemi të gjithë në përkushtimet për nxjerrjen e rezolutës sa më parë që është e mundur, pastaj Kosova të jetë e përgatitur në të gjitha elementet e veta”, theksoi Thaçi. Fillimisht, është paraparë që të hapet konkursi për flamurin dhe stemën, ndërkaq në fazat e mëvonshme edhe ai për himnin e Kosovës. Sipas një vendimi të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, pasi që konkursi të shpallet, në Kuvendin e Kosovës do të formohet një komision i përbërë nga përfaqësues të partive politike dhe ekspertë, i cili do të merret me vlerësimin e simboleve që ndërkohë do të propozohen. Ndryshe, Hashim Thaçi tha po ashtu se në takimin e sotëm, ekipi kosovar ka diskutuar edhe për udhëtimin, që do të bëjë javën e ardhshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare lidhur me pakon e Ahtisaarit, të organizuar nga Fondacioni Rockfeller.
XS
SM
MD
LG