Ndërlidhjet

SHATRI: KOSOVA MUND TË PËRBALLOJË KOSTON E PAKOS SË STATUSIT


Albana Isufi

Institucionet e Kosovës ende nuk kanë një pasqyrë, se sa do të kushtojë zbatimi i pakos së Ahtisaarit për statusin e Kosovës, e cila tashmë ka marrë bekimin edhe nga Kuvendi i Kosovës. Megjithatë, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, siguron se sado që të kushtojë kjo pako, ministria që ai drejton ka kursyer buxhet të mjaftueshëm për ta përballuar atë. “Mund të them se Ministria e Financave është e përgatitur, që ta përballojë koston e statusit dhe të kompetencave që do t’i marrim. Prandaj, edhe kemi punuar që dy vite, e kemi përgatitur terrenin, kemi kursyer”, theksoi ministri Shatri. Ai i tha radios Evropa e Lirë, se janë disa grupe ekspertësh të Qeverisë dhe UNMIK-ut, që po punojnë për të nxjerrë vlerën reale të kostos së pakos për statusin. ”Janë grupe mikse ekspertësh nga Qeveria dhe UNMIK-u, që po punojnë në të gjitha segmentet, që do të bëhet transferi i kompetencave dhe kompetencat e reja që do të fitohen. Ende nuk i kemi të rrumbullaksuara të gjitha shifrat dhe të definuara saktësisht për koston”, tha Shatri. Ai nuk jep ndonjë parallogaritje, se sa eventualisht mund të kushtojë pakoja e statusit, por premton se rezultatet e para të punës që po bëjnë ekspertët, do të bëhen të ditura së shpejti. “Nuk do të kisha manipuluar, se nuk janë shifra që duhet të fliten në këtë fazë, por kemi bërë përgatitje. I kemi disa rezultate, të cilat nuk janë mbledhur ende nga grupet e ndryshme, sepse këto punë bëhen nga shumë grupe, që po punojnë veç e veç në çdo segment dhe në fund do të dalim me rezultate”, theksoi ministri Shatri. Buxheti i konsoliduar i Kosovës për këtë vit është mbi 700 milionë euro. Pothuajse të gjitha agjencitë shpenzuese në Kosovë kanë kërkuar më shumë mjete, sesa që u janë ndarë nga buxheti i konsoliduar i Kosovës. Ndërkohë, Banka Botërore dhe Fondi Monetar kërkojnë vazhdimisht nga institucionet financiare në Kosovë, që të shkurtojnë numrin e shërbyesve civilë dhe të mos ketë rritje të të ardhurave personale. Ndryshe, për Kosovën e pas statusit, Bashkimi Evropian ka kërkuar që të sigurojnë donacione në vlerë prej 2 miliardë dollarësh. Ndërsa, për misionin e ardhshëm të Bashkimit Evropian që do të vendoset në Kosovë, sipas të dërguarit të Havier Solanës, Torbjorn Solstrom, deri më tash janë siguruar gjysmë miliardë euro.
XS
SM
MD
LG