Ndërlidhjet

SEJDIU: PRECEDENT ËSHTË MOSNJOHJA E VULLNETIT TË KOSOVËS PËR PAVARËSI E JO NJOHJA E SAJ


Zijadin Gashi

Rasti i Kosovës është i veçantë dhe pavarësia e saj si zgjidhje, nuk mund të shërbejë për të trajtuar njësoj rastet tjera në botë, vlerësojnë përfaqësuesit kosovarë. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka pohuar sot gjatë një manifestimi, “Ditët e shqipeve”, të mbajtur në Prishtinë, se Kosova nuk paraqet precedent për asnjë rast tjetër në botë, dhe si i tillë trajtohet edhe në pakon e presidentit Ahtisaari. “Aspirata jonë legjitime për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, është një kërkesë realiste, një kërkesë pragmatike, e cila nuk paraqet kurrfarë precedenti, si po mundohen ta proklamojnë disa vende që hezitojnë ta pranojnë këtë realitet. Kosova është rast unik, ‘sui generis’, dhe si i tillë trajtohet edhe në planin e presidentit Ahtisaari, edhe nga shumica e shteteve të përfaqësuara në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian”, pohoi presidenti Sejdiu. Lidhur me shqetësimet e disa vendeve se rasti i pavarësisë së Kosovës mund të shërbejë edhe për disa raste të ngrira në botë, që edhe ato të kërkojnë ndjekjen e rrugës së Kosovës gjithashtu, Sejdiu tha se Kosova është rast më vete, prandaj edhe do të jetë shtet më vete, si çdo shtet tjetër i lirë, i pavarur dhe sovran në të gjithë territorin e saj. Kosova e pavarur është çelësi i stabilitetit dhe i paqes së qëndrueshme në këtë pjesë të Evropës Juglindore, tha Sejdiu. “Atyre që nuk duan ta pranojnë këtë të drejtë të pamohueshme, do t’ua përsërisim se precedent është pikërisht mosnjohja e vullnetit politik të popullit të Kosovës për liri e pavarësi, e kurrsesi njohja e saj. Kosova ka pasur histori krejtësisht të veçantë dhe s’mund të krahasohet me asnjë vend tjetër në botë”, ka theksuar Sejdiu. Në anën tjetër, zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, numëron disa argumente bazë pse Kosova, sipas tij, është rast i veçantë mbi të cilin nuk mund të paraqiten paralele me rastet e tjera në botë. Së pari Kosova, thekson Hoxhaj, ka qenë e okupuar dhunshëm nga Serbia në fillim të shekullit njëzet, përderisa ajo nuk ka qenë pjesë integrale e Serbisë, por e Federatës së ish-Jugosllavisë, në kuadër të tetë njësive të saj. “Regjimi serb, përmes përpjekjes për gjenocid dhe spastrimeve etnike, e ka humbur çdo të drejtë morale e politike, që edhe më tutje të administrojë me Kosovën. Argument është mbi të gjitha, që në Kosovë është vendosur një prani ndërkombëtare, ku misioni i UNMIK-ut e ka suspenduar sovranitetin e dhunshëm, që ka ushtruar Serbia dhe mbi të gjitha, e ka përcjellë Kosovën në një proces të shtet-ndërtimit”, tha Hoxhaj. Të gjitha këto argumente, sipas tij, tregojnë se Kosova është rast i veçantë, që nuk mund t’i bëhen paralele me rastet e vendeve të tjera. Në vazhdim, Hoxhaj përmend edhe elementet bazë që Kosova, sipas tij, i përmbush për të qenë një shtet i pavarur e sovran. “Ka disa prej pyetjeve themelore, të cilat shtrohen vazhdimisht sa herë që shtrohet dilema e krijimit të shteteve të reja. Pyetja e parë është se kush është populli, e në rastin e Kosovës, popull shumicë janë shqiptarët e Kosovës. Pyetja e dytë është çështja e territorit dhe Kosova çdo herë dhe mbi të gjitha gjatë shekullit të kaluar dhe sot, ka prezantuar një territor kompakt, kufijtë e së cilës kanë qenë të vendosur edhe me Kushtetutën e vitit 1974”, vlerësoi Hoxhaj. Kompaktësia territoriale dhe vullneti i shumicës absolute të popullatës, janë elementet kryesore që janë përdorur dhe do të përdoren edhe tani, në lidhje me krijimin e shteteve të reja, theksoi Hoxhaj. Rasti i Kosovës është trajtuar si i veçantë edhe në pakon dhe rekomandimin e Ahtisaarit, i cili tashmë e ka prezantuar atë si një dokument për pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën me një prani civile e ushtarake të NATO-s, si zgjidhjen e vetme të qëndrueshme për Kosovën.
XS
SM
MD
LG