Ndërlidhjet

ANALFABETIZMI TEK KOMUNITETI ROM, ASHKALI DHE EGJIPTAS


Nadie Ahmeti

Një e katërta e fëmijëve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas nuk shkon në shkollë. 31 për qind prej tyre janë vajza, ndërkaq 19 për qind djem. Niveli i analfabetizmit tek ky komunitet është mbi dy herë më i lartë në raport me komunitetin shqiptar dhe katër herë më i lartë në raport me komunitetin serb. Këto të dhëna janë publikuar sot, gjatë prezantimit të një projekti, që për synim ka çështjen e arsimimit të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas dhe i cili është hartuar nga Ministria e Arsimit, UNICEF-i dhe disa organizata joqeveritare. Bashkim Kurti, zyrtar për zhvillimin e komuniteteve në Kuvendin Komunal të Gjakovës, thotë se përfshirja e fëmijëve të këtyre komuniteteve në arsimin kosovar, është shumë e vogël. Zoti Kurti, vetë i përkatësisë rome, përgjegjës kryesor për këtë çështje, mban prindërit e fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptas. “Problemi më i madh është gjendja e rëndë ekonomike dhe mosvetëdijsimi i prindërve për arsim, që është shkaktari më i madh”, tha zoti Kurti. Pikërisht për shkak të vetëdijes së ultë tek prindërit e tyre, fëmijët e këtyre komuniteteve janë viktima, ka thënë Robert Fuderich, udhëheqës i misionit të UNICEF-it në Kosovë. Sipas tij, është krijuar një lloj bindjeje, se këta fëmijë nuk mund të kenë sukses në shkollim. “Mendoj se duhet një përgatitje nëpër shkolla, sepse këta fëmijë kanë nevoja të posaçme. Arsimtarët dhe personeli shkollor duhet të jenë të përgatitur, që t’i pranojnë aspektet kulturore, që janë të veçanta për këto komunitete”, theksoi zoti Fuderich. Ndryshe, Florent Vrainca nga Shërbimi Katolik, tha se institucionet më të larta vendore dhe ato komunale, duhet të punojnë më shumë për këtë çështje, për të tejkaluar barrierat tradicionale dhe ato kulturore të arsimimit. “Duke krijuar mundësi, që këta fëmijë të përfundojnë shkollimin e obliguar dhe njëkohësisht ta stimulojnë përfshirjen sa më të madhe të fëmijëve në shkolla. Shpresojmë, që secila nga komunat e Kosovës do ta konsiderojë seriozisht zbatimin e këtij plani dhe do ta modifikojë, sipas nevojave specifike të komunës”, ka theksuar zoti Vrainca. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është duke bërë përpjekje për të luftuar analfabetizmin nëpërmjet një projekti për mësim joformal. Dëfrim Gashi, këshilltar i ministrit të arsimit, tha se ky projekt mundëson shkollim për të gjithë, pa marrë parasysh përkatësinë gjinore, fetare apo etnike. “Në projekt janë të përfshira 3000 gra dhe vajza, kryesisht nga viset rurale. Ky projekt i ka hapur dyert për të gjithë ata, të cilët janë të interesuar, e në mënyrë të veçantë për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptas. Në shkurt të këtij viti, MASHT-i ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me UNICEF-in dhe me 17 organizata joqeveritare të ndryshme për vazhdimin e këtij projekti, i cili do t’i mundësojë në mënyrë të veçantë komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas të integrohet në procesin edukativo-arsimor”, tha zoti Gashi. Sidoqoftë, projekti i publikuar sot, që mban emrin “Plani i Veprimit”, synon integrimin e atyre fëmijëve që kanë mbetur larg bankave shkollore, numri i saktë i të cilëve nuk dihet.
XS
SM
MD
LG