Ndërlidhjet

OSBE-JA KRITIKON FUNKSIONIMIN E GJYKATAVE NË KOSOVË


Zijadin Gashi

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë, u ka rekomanduar autoriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare, të ndërmarrin masa shtesë për përmirësimin e gjendjes dhe shtimit të efikasitetit të gjykatave. Në një raport të prezantuar nga ushtruesi i detyrës së shefit të misionit të OSBE-së, Jens Modvig, thuhet se si pasojë e numrit të vogël të gjykatësve në Gjykatën Supreme të Kosovës, kanë mbetur të pazgjidhura shumë lëndë gjyqësore administrative. Ndërkaq, Asier Santilian Luzuriaga, këshilltar i lartë në departamentin për të drejtat e njeriut, tha se raporti identifikon dobësi në funksionimin e gjykatave dhe rekomandon që të rritet numri i gjykatësve, që merren me konteste administrative, për të qenë drejtësia më efikase dhe më e shpejtë. “Ka vetëm dy gjykata supreme, që merren me lëndët administrative gjyqësore, çka ka sjellë si rezultat ngecjen në zgjidhjen e 2000 rasteve”, theksoi Luzuriaga. Kurse, Jens Modvig tha se funksionimi i Qeverisë dhe autoriteteve gjyqësore e administrative, ndikon në jetën e njerëzve dhe rrjedhimisht edhe në mbrojtjen më të mirë të të drejtave të tyre. “Veprimet apo mosveprimet e Qeverisë, siç janë ato përmes vënies së tatimit, shpronësimeve, dhënies ose refuzimit të dhënies së licencave, apo shqiptimit të gjobave, ndikojnë në jetën e përditshme të banorëve të Kosovës”, ka theksuar Jens Modvig. Sipas tij, ligji administrativ është fushë e rëndësishme, i cili u mundëson qytetarëve të kenë të drejtën e shqyrtimit të veprimeve qeveritare, për të cilat besojnë se janë të paligjshme ose arbitrare. Raporti i publikuar sot, sipas Modvig, sugjeron ndryshimin e ligjit, në mënyrë që Gjykata Supreme e Kosovës të ketë funksionin e Gjykatës së Apelit, e cila do të shqyrtonte ligjshmërinë e vendimeve të dhëna në gjykatat e shkallës më të ulët. Në raport thuhet po ashtu, se vendimet administrative duhet të jenë të arsyetuara mirë dhe të jenë në pajtim me ligjet në fuqi. Raporti thekson edhe mungesën e mundësive për ankesa efikase, lidhur me vendimet e Gjykatës Supreme, për faktin se Gjykata Supreme është gjykata e vetme që vendos lidhur me kontestet administrative, çka sipas raportit, dëshmon se ekziston mundësi e kufizuar për ankesa. Raporti i OSBE-së u rekomandon jo vetëm institucioneve të Kosovës, por edhe UNMIK-ut, që të krijojnë kushte më të mira për gjykatës, si dhe të formulojnë ligjet në mënyrë që të jenë efikase dhe funksionale me kohën. Ndryshe, drejtësia dhe siguria në Kosovë drejtohen nga autoritetet e UNMIK-ut, kurse pas zgjidhjes së statusit, po në këto dy fusha, autorizime të fuqishme thuhet se do të ketë edhe misioni i ri civil ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG