Ndërlidhjet

REXHEPI: PA REZOLUTËN E KS-SË, ALTERNATIVË MBETET SHPALLJA E PAVARËSISË


Bajram REXHEPI, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, procesi i definimit të statusit të Kosovës ka hyrë në fazën finale. Mirëpo, sa konsideroni se mbetet si sfidë më vete nxjerrja e rezolutës së re në Këshillin e Sigurimit, duke pasur parasysh qëndrimet e disa vendeve anëtare?

BAJRAM REXHEPI
Sfida ka filluar muajt e fundit, kryesisht me qëndrimin e Rusisë, e cila deri tani ka deklaruar se nuk do të pranojë një rezolutë ose një imponim jashtë vullnetit të Prishtinës dhe Beogradit. Ende është me ato qëndrime, asnjëherë nuk ka thënë se do ta përdorë veton, por e mbajnë një qëndrim rigjid. Këta dy muajt e ardhshëm, ne shpresojmë se më në fund, do të binden edhe rusët se nuk ka alternativë tjetër. Ka edhe shtete të tjera, që hezitojnë nga frika. Edhe Indonezia mendohet që është një prej tyre, që ende nuk ka një qëndrim të caktuar. Dhe, nëse anëtarët e Grupit të Kontaktit, e kryesisht shtetet e Evropës dhe të Amerikës, arrijnë që t’i bindin këta anëtarë jo të përhershëm, unë nuk besoj se rusët do t’i lejojnë vetes që të mbesin të izoluar. Mirëpo, këto janë çështje të bisedimeve interne ‘pas perdeve’. Megjithatë, mund të themi se në fund, do të arrijnë që të bijnë një konsensus dhe ajo rezolutë do të përmbajë disa parime të përgjithshme dhe t’i bashkëngjitet edhe pakoja e Ahtisaarit e pandryshuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, sa mund të komplikojnë dhe zvarrisin procesin e përcaktimit të statusit këto qëndrime të disa vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit?

BAJRAM REXHEPI
Po, munden. Një prej tyre është edhe ky misioni faktmbledhës, i cili faktikisht ende nuk dihet se çfarë mandati do të ketë. Nëse është në një mënyrë zhagitje, ndoshta disa vende që nuk kanë qasje direkte, dëshirojnë që të shohin drejtpërdrejt gjendjen në Kosovë, mirëpo ata i kanë të gjitha institucionet e Kombeve të Bashkuara që u raportojnë, jo çdo tre muaj, por edhe çdo ditë. Prandaj, kjo më tepër ndoshta është një kënaqje ose ego e propozuesit, që dihet se Rusia ishte propozuese e këtij qëndrimi. Unë jam skeptik, se ata munden për dy ditë të përfitojnë njohuri të reja, dhe për shaka kam thënë, se ndoshta do të shkojnë më konfuzë, sesa që vijnë, për arsye se do të dëgjojnë dy tregime krejt të kundërta nga institucionet e Kosovës, nga shumica shqiptare dhe nga ana tjetër nga komuniteti serb, i cili bën çmos që të plasojë dezinformata.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, cili duhet të jetë qëndrimi i palës kosovare dhe sa mund të vijnë në shprehje, në rast se zvarritet procesi, deklarimet e njëanshme lidhur me statusin e Kosovës?

BAJRAM REXHEPI
Faktikisht, gjëja më e mirë do të ishte që Rezoluta aktuale 1244 të abrogohet, të vijë një rezolutë e re e cila ia lehtëson edhe Unionit Evropian vendosjen e prezencës së tyre në të ardhmen. Për një rezolutë edhe ata hezitojnë dhe procesi mund të zhagitet. Dhe, nuk duam të besojmë se në fund do të vijë një situatë që Rusia apo dikush tjetër do të shfrytëzojë të drejtën e vetos. Në atë rast, nuk mbetet tjetër alternativë veçse Kosova të shpallë pavarësinë dhe të fillojë njohja individuale nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca etj. me rend, ose Unioni Evropian bashkërisht, nëse arrijnë një konsensus të tillë. Por, kjo shkon më ngadalë dhe krijon probleme në dinamikë, prandaj duhet shterrur të gjitha mundësitë, që të sillet një rezolutë e re, e cila e lehtëson këtë proces.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ka kapacitete Kosova që të përmbushë të gjitha ato kërkesa që parashtrohen si obligime me pakon e Ahtisaarit, lidhur me pavarësinë e mbikëqyrur, për të kaluar në një shkallë tjetër, atë të pavarësisë së plotë?

BAJRAM REXHEPI
Po kjo është pak relative. Mendoj se ne kemi kapacitete, ndoshta nuk kemi të plota 100%. Ka çalim sidomos në Qeveri, që e dimë se nuk ka qenë efikase edhe në lëmi të caktuara. Mirëpo, që të ketë sukses implementimi nuk varet vetëm nga institucionet kosovare, por edhe si sillet komuniteti serb. Deri tash, asnjëherë nuk kanë treguar ndonjë vullnet, se janë të gatshëm për të kontribuar diçka në një proces pozitiv. Unë jam pak skeptik, se ata do të provojnë edhe më tutje ta pengojnë implementimin e pakos së Ahtisaarit. Mirëpo, prezenca ndërkombëtare që do të jetë këtu, do të jetë në një mënyrë edhe në rolin e arbitrit, dhe ai që e pengon këtë proces duhet ta ketë adresën e qartë, e jo të përgjithësohen. Nëse pengesë për implementim është komuniteti serb, mos të akuzohen institucionet e Kosovës për dështimet e tyre. Pra, të jetë adresimi i qartë, e jo i përgjithësuar si deri tani. Megjithatë, unë mendoj se shumica e tyre do të implementohen. Ne jemi të përcaktuar që të bëjmë maksimumin si institucione, si parti politike, si qytetarë. Duhet të jemi optimistë.

INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI

XS
SM
MD
LG