Ndërlidhjet

UASHINGTON


Nënsekretari amerikan i shtetit, Nicholas Burns, tha mbrëmë se Shtetet e Bashkuara shpresojnë se mbështetja e saj e fuqishme për pavarësinë e Kosovës nga Serbia nuk do t'i dëmtojë marëdhëniet me Beogradin.
Në një fjalim në Këshillin për Marrëdhënie të Jashtme në Uashington, Burns tha se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë pavarësinë të vetmin opsion për Kosovën, që prej vitit 1999 administrohet nga Kombet e Bashkuara. "Ne nuk dëshirojmë që ky vendim shumë i dhembshëm dhe i vështirë për pavarësinë e Kosovës t'i fundosë mundësitë e marrëdhënieve të mira ndërmjet të dy vendve" tha zoti Burns dhe shtoi se "pas kësaj ndarjeje të dhembshme të Kosovës nga Serbia, Shtetet e Bashkuara do të sinjalizojnë shumë qartë besimin tonë se ne mund të kemi të ardhme të mirë me popullin e Serbisë".
Nicholas Burns mëtutje tha se efektivisht Kosova ishte e humbur për Serbinë në vitet e 1990-ta kur represioni brutal nga ish presidenti serb, Sllobodan Millosheviq, çoi në intervenimin e NATO-s në vitin 1999. Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara, Ivan Vujaçiq, që ishte i pranishëm gjatë fjalimit të zotit Burns, e shtroi pyetjen nëse Shtetet e Bashkuara e përjashtojnë njohjen e njëanshme të Kosovës. Agjencia AP mëtutje raporton se kjo çështje është e ndjeshme sepse disa kanë sugjeruar se nëse Rusia i realizon kërcënimet se mund ta përdorë veton në Këshillin e Sigurimit, atëherë vendet e tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara, do ta njihnin pavarësinë e Kosovës.
"Ne do të mbështesin deklaratën për pavarësi nga populli i Kosovës", tha Nicholas Burns. Por ai e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara presin se rezoluta e Kombeve të Bashkuara do të miratohet dhe se njohja do të pasojë.
Qëndrimet e tij për Kosovën, z. Burns sot do t'i paraqesë edhe Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë në Kongresin amerikan.
XS
SM
MD
LG