Ndërlidhjet

UASHINGTON


"Pavarësia e Kosovës është zgjidhje legjitime dhe e ndershme. Ne besojmë se pavarësia e mbikqyrur për Kosovën është rruga e vetme për të ecur përpara. Çdo përfundim tjetër do të rezultojë në një qeverisje jofunksionale, në forcimin e ekstremistëve dhe do të çojë drejt konflikteve të reja", tha nënsekretari amerikan i Shtetit Nicholas Burns.
Ai i bëri këto komente gjatë seancës dëgjimore për Kosovën në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës Përfaqësuese në Kongres.
Seanca dëgjimore u mbajt me nismën e kreut të këtij komiteti, kongresmenit Tom Lantosh.
"Ne duhet të veprojmë shpejt në javët dhe dhe maujt që vijnë për ta përfunduar punën e filluar duke ndihmuar Kosovën që ta çojmë drejt pavarësisë", tha Burns.
Ai theksoi se Kosova nuk mund të shërbejë si precedent për shkak të shpërbërjes së dhunshme të ish Jugosllavisë, vendimit të NATO-s për të ndërhyrë dhe faktit se Këshilli i Sigurimit në vitin 1999 e vendosi Kosovën nën qeverisjen e KB.
"Për të arritur deri në zgjidhjen e statusit, SHBA-të sponsorizojnë rezolutën që do zëvendësojë atë ekzistuesen 1244", tha Burns. Kjo rezolutë e re "nuk do të shpallë pavarësinë e Kosovës por do heqë të gjitha barrierat politike dhe ligjore për pavarësinë si dhe do t'i hapë rrugë pranisë ndërkombëtare në Kosovën e pas statusit", tha Burns.
Lidhur me qëndrimin e Rusisë, ai tha se po vazhdojnë diskutimet me qeverinë ruse, që të mbështesë procesin, ose të paktën të mos e bllokojë ate.
Por Bërns përsëriti pa mëdyshje se mospërcaktimi i statusit të Kosovës do të jetë burim i tensioneve dhe pasigurisë derisa çdo shtyrje do ta keqësojë situatën.
Duke folur për shtetin e ardhshëm të Kosovës Burns e theksoi nevojën e pranisë ndërkombëtare. Ai i bëri thirrje Serbisë që ta pranojë shtetin e Kosovës dhe të vendosë marrëdhënie normale ekonomike e politike.
"Zgjidhja e statusit të Kosovës do ta fusë Evropën Juglindore në një shteg dhe fazë të re që do sjellë të ardhme më të mirë për popujt e rajonit", përfundoi nënsekretari amerikan i Shtetit Nikolas Burns.
XS
SM
MD
LG