Ndërlidhjet

VERBEKE: MISIONI I KS-SË DO JETË INFORMUES


Johan Verbeke, ambasador i Belgjikës në KB dhe drejtues i misionit të KS-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ambasador, do drejtoni misionin e Këshillit të Sigurimit në Kosovë javën e ardhshme. Përfundimisht, si quhet misioni, faktmbledhës si e ka kërkuar Rusia, apo familjarizimi sic ka thënë Britania?

JOHAN VERBEKE
Ajo cfarë është e rëndësishme është qëllimi i misionit. Qëllimi i tij është të marrim informacionet më të fundit drejtpërdrejt nga terreni rreth situatës në Kosovë.
Unë do ta quaja mision informues.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila do jetë agjenda e misionit në Bruksel, Prishtinë dhe Beograd?

JOHAN VERBEKE
Agjenda nuk ka marrë formën përfundimtare, pasi po punohet ende, për më tepër që ka jo pak probleme logjistike. Qëllimi ynë është të kemi kontakte me institucionet që kanë qenë aktive gjatë viteve të fundit në Kosovë e këto janë Bashkimi Evropian dhe NATO-ja.
Do takohemi dhe me udhëheqësit vendorë në mënyrë që të kemi një pamje gjithpërfshirëse rreth gjendjes aktuale në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
A planifikoni të përgatisni një raport pas misionit dhe nëse po sa kohë do të marrë përgatitja e tij?

JOHAN VERBEKE
Po, planifikojmë të raportojmë para Këshillit të Sigurimit. Kjo është një praktikë standarde, por që nuk do të marrë shumë kohë. Do ta bëjmë raportimin sa më shpejt të jetë e mundur pas kthimit tonë në Nju Jork.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të jetë cështje ditësh apo javësh?

JOHAN VERBEKE
Nuk mund të them kohën e saktë sa do duhet, por nuk është cështje javësh. Do ta bëjmë sa më shpejt, në ditët që pasojnë pas kthimit nga terreni.

RADIO EVROPA E LIRË
Presidenti rus Putin tha se qëllimi i Misionit është të shohë zbatimin e rezolutës 1244, duke u fokusuar tek kthimi. A është e saktë?

JOHAN VERBEKE
Misioni që do drejtoj, sic e thashë dhe më parë, synon të marrë maksimumin e informacioneve në mënyrë që të gjitha vendet anëtare të KS-së të kenë një pamje të qartë se cila është gjendja në terren.
Në këtë mënyrë ne do jemi të përgjegjshëm në veprimet tona rreth dosjes së Kosovës, që është një cështje e rëndësishme.

RADIO EVROPA E LIRË
UNMIK-u dhe drejtuesit e Kosovës e kanë quajtuar misionin si humbje kohe, pasi rregullisht raportohet para Këshillit të Sigurimit rreth Kosovës. Cfarë do të thoshit?

JOHAN VERBEKE
Cështja duhet parë nga këndvështrimi i Këshillit të Sigurimit në Nju Jork. Ne na është kërkuar të veprojmë rreth një cështje të rëndësishme, sic është ajo e Kosovës. Ne nuk duam të veprojmë në mënyrë arbitrare, duam të jemi të mirëinformuar.
Është e vërtetë se marrim rregullisht raporte nga UNMIK-u, por duhet ta pranojmë se ekziston sërish dallimi mes leximit të raporteve dhe vajtjes në terren.
Ne i lexojmë raportet, por do shkojmë edhe në terren që t'i kemi informacionet dhe kuptimin e situatës nga dora e parë. Duam të shohim se si është gjendja dhe c'do të thotë të jetosh në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cfarë do bëni që të mënjanoni përdorimin e misionit që do drejtoni si mjet për të shtyrë zgjidhjen e statusit të Kosovës?

JOHAN VERBEKE
Do bëjë atë që është kërkuar nga unë: pra drejtimin e misionit. Do bëj gjithcka që është e mundur që të takohemi me njerëzit që duhet në terren, të vizitojmë vendet e duhura dhe të marrim informacionet e duhura.
Dhe mbi të gjitha të jemi në gjendje që të përgatisim një raport produktiv dhe ndihmës. Kjo do bëjë që ne në Këshillin e Sigurimit ta vazhdojmë punën më tej në mënyrë produktive dhe të përgjegjshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe krejt në fund, si anëtar i BE-së a mund të na konfirmoni nëse vendet anëtare të BE-së që janë edhe anëtare në Këshillin e Sigurimit, të përhershme apo jo, kanë qëndrim të njëjtë rreth Kosovës?

JOHAN VERBEKE
Jemi fare pranë një qëndrimi të tillë. Kohezioni i vendeve anëtare të BE-së në përgjithësi dhe atyre që janë edhe anëtare të Këshillit te Sigurimit në vecanti, është në shkallë të lartë.

Bisedoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG