Ndërlidhjet

ÇEKU: S’KA MË NEGOCIATA


Zijadin Gashi

Për statusin e Kosovës nuk do të ketë rifillim të negociatave, pavarësisht qëndrimeve të Serbisë dhe Rusisë, ka pohuar sot kryeministri Agim Çeku. Ai tha se pakoja e Ahtisaarit mbetet baza e përcaktimit të statusit dhe pret që deri në fund të majit, Kosova të bëhet një shtet i pavarur. Ndërkaq, lidhur me vizitën e Këshillit të Sigurimit, Çeku tha se pret që kjo vizitë të konfirmojë të arriturat në Kosovë. Këto komente, Çeku i bëri pas takimit të rregullt javor me shefin e UNMIK-ut, Joachim Ruecker. Kryeministri i Kosovës tha se Prishtina nuk ka gatishmëri për rifillim të negociatave dhe shprehu besimin e tij, se një disponim të tillë e kanë edhe vendet tjera, me përjashtim Serbinë e Rusinë. “Mund të kërkojë edhe Rusia edhe Beogradi, por nuk ka rifillim të negociatave, nuk ka gatishmëri të askujt, e më së paku tanën që të ketë rifillim të negociatave. Propozimi është në duart e Kombeve të Bashkuara, ka legjitimitetin e Kombeve të Bashkuara dhe mbështetjen e Sekretarit të Përgjithshëm. Besoj se do të jenë shumica për, ndoshta dikush do të abstenojë, por jam optimist se ne në fund të majit do ta kemi Kosovën e pavarur, në bazë të rezolutës së Kombeve të Bashkuara”, tha Çeku. Ndërkohë, shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, është ndalur kryesisht në vizitën e Këshillit të Sigurimit. Ruecker tha se nuk do të preferonte, që atë ta quante si një mision faktmbledhës. “Unë do të hezitoja ta quaja një mision faktmbledhës dhe sipas pikëpamjes sime, ajo është një vizitë me qëllim të mbledhjes së informacioneve”, theksoi Ruecker, ndërkohë që javën e ardhshme, sipas tij, do të dihet më mirë agjenda e kësaj vizite. Në anën tjetër, kryeministri Agim Çeku tha se e sheh atë si një mision të rikonfirmimit për të arriturat në Kosovë. “Ky mision, edhe zyrtarisht quhet mision i Këshillit të Sigurimit në Kosovë, por më shumë e kisha quajtur mision të familjarizimit të disa anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, disa jo të gjithëve, sepse shumica prej tyre kanë njohuri të mjaftueshme për situatën në Kosovë, realitetin dhe progresin në Kosovë. Dhe, ne presim që kjo vizitë të jetë në funksion të një zgjidhjeje të shpejtë të statusit të Kosovës”, pohoi kryeministri Çeku. Sipas tij, pas vizitës së Këshillit të Sigurimit, nuk priten komplikime të procesit, siç mëtojnë qendrat politike që kërkojnë rifillim të negociatave. Por, përkundrazi, shtoi Çeku, vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit do të kenë një pasqyrë edhe më të qartë për Kosovën dhe në këtë aspekt, ai tha se pret që pas kësaj vizite, përkrahja për pakon e Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit të jetë edhe më e fuqishme. Ndërkohë, shefi i zyrës së Belgjikës në Kosovë, Will Peeters, përmes një komunikate, ka konfirmuar sot se Këshilli i Sigurimit ka autorizuar misionin belg, që të hartojë agjendën e vizitës së ardhshme në Kosovë e Serbi, por e cila do të përfshijë edhe Brukselin e Vjenën. Në komunikatë thuhet, se ambasadorët e Këshillit të Sigurimit do të qëndrojnë në Kosovë dhe Serbi prej datës 25 deri më 28 prill të këtij viti. Ky mision, thuhet se ka tre qëllime kryesore. Së pari, synohet të arrihet marrja e informatave për progresin e shënuar në Kosovë, që nga miratimi i Rezolutës 1244 nga Këshilli i Sigurimit më 1999, duke përfshirë edhe zbatimin e standardeve. Së dyti, të informohet drejtpërdrejt nga udhëheqja e Serbisë, ajo e Kosovës si dhe nga përfaqësuesit e komuniteteve pakicë, lidhur me situatën e tanishme politike, sociale dhe ekonomike në Kosovë, si dhe për situatën në rajon. Dhe së treti, delegacioni mëton të informohet nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, në Bruksel dhe në terren, lidhur me situatën e tanishme politike, sociale dhe ekonomike në Kosovë, si dhe për situatën në rajon. Sipas komunikatës, misioni do t’i raportojë përfundimet e veta në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

XS
SM
MD
LG