Ndërlidhjet

VARSHMËRIA MIDIS PASAPORTAVE DHE SIMBOLEVE


Rrahman Paçarizi

Dokumentat e udhëtimit duket të jenë një prej sfidave më të rëndësishme në Kosovën me status të zgjidhur, thonë analistët dhe zyrtarë të përfshirë në procesin e tranzicionit. Kjo vjen e bëhet edhe më e vështirë, nëse Kosova ende nuk ka përcaktuar simbolet shtetërore, ndërsa Kombet e Bashkuara nuk do ta vazhdojnë vlefshmërinë e pasaportave të UNMIK-ut. Avni Arifi, koordinator i grupeve punuese për tranzicionin, tha: “Kjo çështje është duke e sjellë Kosovën në një situatë shumë të komplikuar, për shkak të faktit që New York-u ka vendosur që dokumentat e udhëtimit, që tash lëshohen nga UNMIK-u, të përfundojnë validitetin menjëherë, 120 ditë pas miratimit të rezolutës për Kosovën”. Zoti Arifi tha se kjo është një kohë jashtëzakonisht e shkurtër, që do të krijojë probleme shtesë. Analisti nga Prishtina dhe drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, thotë se mungesa e simboleve është një problem serioz. “Është shumë normale që në pasaportë të ekzistojë stema e vendit apo institucionit që e identifikon. Edhe në këto pasaportat që i kemi ekziston shenja e UN-së dhe kjo është shumë e ndërvarur – simbolet me pasaportat tash janë të ndërlidhura mes vete shumë”, theksoi zoti Peci. Megjithatë, zoti Avni Arifi thotë se grupet punuese për tranzicion, bashkë me UNMIK-un, janë duke hartuar modalitetet se si të tejkalohet kjo situatë. “Në mungesë të simboleve, është një propozim që të ketë një zgjidhje të përkohshme, pra një dokument udhëtimi apo pasaportë vetëm me shenjën e institucioneve të Kosovës, që do të mund të prodhohej me kapacitetet ekzistuese”, tha zoti Arifi. Ai mendon se kjo do ta zbuste paksa vakuumin e krijuar, pas skadimit të vlefshmërisë së dokumentave të UNMIK-ut. Mirëpo, zoti Peci thotë se pasojat e periudhës së vakuumit, lidhur me dokumentat e udhëtimit, do të jenë të mëdha. “Unë pres se do të ketë një izolim të madh të popullatës së Kosovës për lëvizje, për disa muaj së paku. Kjo do të ndodhë pasi brenda 120 ditësh, do të na duhet që së pari të kalojë ligji për shtetësinë, pastaj ligji për pasaportat e dokumentat e udhëtimit”, tha zoti Peci. Ai mendon se pas pakos ligjore, kërkohet edhe teknologjia me të cilën do të bëheshin pasaportat e reja dhe formati i tyre. Kjo është punë që nuk ka lëvizur nga vendi, thotë ai, dhe elementi i tretë, sipas zotit Peci, është se nuk do të mund të lëshohen menjëherë 1 milion pasaporta. Sidoqoftë, zoti Avni Arifi mendon se edhe në rastin e Kosovës do të duheshin zhvilluar praktikat për validitetin e dokumentave ekzistuese të udhëtimit, për një periudhë më të gjatë. Ndërkohë, eksperti Lulzim Peci thotë se Qeveria dhe Grupi Negociues jo vetëm që nuk janë të përgatitur për t’u përballur me këtë sfidë, por ka dyshime nëse ata janë mjaft të vetëdijshëm për këtë problem që i pret.

XS
SM
MD
LG