Ndërlidhjet

PRISHTINA SHPRESON SE DELEGACIONI I KS-SË DO TË BINDET SE KOSOVA E PAVARUR NUK ËSHTË PENGESË


Zijadin Gashi

Këshilli i Sigurimit do të sigurohet këtë javë, gjatë vizitës në Kosovë, se pavarësia e Kosovës nuk është pengesë, ndërkaq status quo-ja nuk mund të vazhdojë më tutje, ka pohuar sot kryeministri Agim Çeku. Përmes një adresimi tashmë javor të kryeministrit drejtuar qytetarëve, ai beson se delegacioni i Këshillit të Sigurimit, dhe sidomos vendet anëtare që dinë pak për Kosovën, do të kenë mundësinë të shohin përparimet e bëra në Kosovë, që nga mbarimi i luftës e këndej. Bazuar në këto përparime, shton Çeku, Këshilli i Sigurimit do të bindet se Kosova është e gatshme për të qenë një vend i pavarur dhe një anëtare e re e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. “Një pjesë e vendeve në Këshillin e Sigurimit nuk kanë njohuri për Kosovën, do t’u tregojmë se Kosova është një dhe e tërë. Ne do të kemi rastin t’u tregojmë se Kosova është një dhe e tërë, do të kenë rastin të kuptojnë se status quo-ja nuk mund të vazhdojë. Do t’u dëshmojmë se Kosova e pavarur nuk është një problem për Kombet e Bashkuara, por një anëtare e ardhshme dhe aktive e tyre. Këto janë mesazhet që bashkërisht do t’u dërgojmë”, tha kryeministri Çeku. Kjo vizitë, shtoi ai, do t’u vë fund dyshimeve që mund t’i kenë disa vende anëtare të Këshillit të Sigurimit për pavarësinë e Kosovës dhe kështu, të sigurohet mbështetja e nevojshme në New York për nxjerrjen e rezolutës së re për Kosovën. Pas vendimit për statusin, Çeku tha se kosovarët i pret një punë e madhe, si gjatë fazës së tranzicionit, ashtu edhe më pas. Në këtë plan, ai ka veçuar si angazhime parësore sidomos nxjerrjen e Kushtetutës dhe miratimin e ligjeve të domosdoshme për zbatimin e marrëveshjes, përkatësisht pakos së Ahtisaarit për statusin e Kosovës. “120 ditët do të jenë shumë të ngarkuara. Ne duhet të hartojmë Kushtetutën, e Kushtetuta është dokumenti themelor i shtetit dhe akti më kreativ në politikë. Ajo mbron interesat e shtetasve dhe për këtë arsye, të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë zë në krijimin e saj. Një grup ekspertësh ka nisur punën për hartimin e këtij dokumenti, të cilin do t’ua prezantojmë qytetarëve të Kosovës për komente e sugjerime”, ka theksuar Çeku. Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka lënë mundësinë e hapur që delegacioni i Këshillit të Sigurimit t’i drejtohet Kuvendit, nëse për këtë ka ndonjë interesim te ky delegacion. Kryetari i Kuvendit, Kolë Berisha, tha se varësisht vullnetit të tyre, anëtarët e Këshillit të Sigurimit mund të marrin pjesë edhe në seancën plenare, që mbahet ditën e njëjtë kur ky delegacion do të qëndrojë në Kosovë. “Do të jetë një seancë e zakonshme për ne. Ata mund të jenë pjesëmarrës të kësaj seance për të parë se si shkojnë zhvillimet e seancës, por mund të ndodhë edhe mos të marrin pjesë, pasi varet se si vendosin ata”, tha Berisha. Ndryshe, delegacioni 15 anëtarësh i Këshillit të Sigurimit, që do të drejtohet nga ambasadori belg, Johan Verbeke, do të qëndrojë gjatë fundjavës në Kosovë, për të parë përparimet e arritura në Kosovë, që nga vënia e saj nën administrimin e Kombeve të Bashkuara përmes Rezolutës 1244 e këndej. Paraprakisht, ky delegacion do të vizitojë Brukselin e Beogradin, ndërkaq pas Prishtinës është paralajmëruar të qëndrojë edhe në Vjenë, për të takuar emisarin e Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari.
XS
SM
MD
LG