Ndërlidhjet

CISTERNAT ME NAFTË KTHEHEN MBRAPA PËR NË MAQEDONI


Nadie Ahmeti

Cisternat me derivate të naftës nga Rafineria e Naftës së Maqedonisë, të cilat kanë mbetur në terminalin e pikës kufitare në Han të Elezit, nuk do të lejohen të hynë në Kosovë. Kështu ka thënë sot ministri për Tregti dhe Industri, Bujar Dugolli. Rreth 10 kompani të cilat importojnë derivate të naftës, sipas udhëzimit administrativ të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, janë ndalur në pikën kufitare të Hanit të Elezit, për shkak se 76 cisternat e bllokuara kanë poseduar deklaratën e konformitetit me vlera më të ulëta, sesa që është paraparë në udhëzim administrativ. Ministri Bujar Dugolli ndërkaq pohon, se ky vendim është marrë për shkak të rregullimit të sektorit të naftës, përmirësimit të cilësisë së këtyre derivateve dhe mbrojtjes së shëndetit publik të qytetarëve dhe ambientit kosovar. “Ky udhëzim administrativ është në fuqi dhe parasheh kriteret e Bashkimit Evropian për sektorin e naftës. Kosova është një vend që importon këtë produkt. Dhe, pasi që ne importojmë dhe qytetarët e Kosovës dëshirojnë që produkti të jetë cilësor, atëherë i kemi aplikuar këto, sepse çdo mall që vjen në Kosovë nga vendet tjera, duhet të përmbushë këto dispozita”, tha ministri Dugolli. Ndryshe, zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, kanë thënë se udhëzimi administrativ është dashur të zbatohet më herët, pasi në fuqi është që nga tetori i vitit të kaluar. Fatmir Limaj, nënkryetar i PDK-së, thotë se është dashur të paralajmërohen kompanitë importuese të derivateve të naftës, për një vendim të tillë. Zoti Limaj ndërkaq pohon se ende nuk është e qartë, se a zbatohet ligji në të gjitha pikat doganore në Kosovë. “A po zbatohet ligji edhe nga pjesa e Serbisë? Ajo naftë që vjen nga Serbia, a i plotëson këto kritere? Ne ende nuk kemi një përgjigje për këtë. Cila është cilësia e naftës që vjen nga pjesët tjera, pse është toleruar deri më tani futja e kësaj cilësie të naftës në Kosovë...”, u shpreh zoti Limaj. Edhe Fahri Retkoceri, nënkryetar i Shoqatës së Naftëtarëve, tha se Ministria e Tregtisë është dashur të paralajmërojë kompanitë për këtë vendim. Ai ka kërkuar nga Ministria e Tregtisë, që të gjejë një zgjidhje të përkohshme për këtë rast, kurse në të ardhmen të zbatohet udhëzimi administrativ. “Nuk e kanë bërë një paralajmërim në ato ditë, kur cisternat kanë qenë në ngarkim ose kur kanë hyrë cisternat. Prej datës 14 nëntor 2006, është ky udhëzim administrativ dhe nuk është zbatuar deri tani. Tash, pa paralajmërim e kanë zbatuar”, theksoi zoti Retkoceri. Por, ministri Dugolli thotë se të gjitha kompanitë kanë qenë të paralajmëruara, përveç atyre të cilat, sipas tij, nuk kanë dashur ta zbatojnë ligjin. Zoti Dugolli ka thënë madje, se do të kërkojë edhe një herë nga Shërbimi Doganor, që të mos lejojë hyrjen e asnjë cisterne me derivate të naftës, e cila nuk i përmbush kriteret sipas ligjit. “Flitet se nuk kanë pasur informacion. Kjo nuk është e vërtetë, sepse që nga muaji nëntor 2006, ky udhëzim administrativ është në fuqi. Është njoftuar Shërbimi Doganor i Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës, sepse ka marrë pjesë vetë në hartimin e tij. Janë njoftuar me shkresë nga Këshilli i Naftës të gjitha shoqëritë dhe subjektet që merren me import. Pra, të gjithë kanë qenë të njoftuar muaj më parë ”, theksoi ministri Dugolli. Sidoqoftë, sipas një komunikate për shtyp, që ka lëshuar Departamenti për Menaxhim të Emergjencës në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thuhet se 68 cisterna tashmë janë kthyer për në Maqedoni, ndërsa në terminalin e pikës doganore në Han të Elezit kanë mbetur vetëm edhe tetë, te cilat pritet që brenda ditës, gjithashtu të kthehen në territorin e Maqedonisë. Ky vendim është marrë, pasi njësiti i departamentit të emergjencës ka vërejtur se nga 12 cisterna ka rrjedhur nafta, gjatë qëndrimit të tyre në terminalin doganor.
XS
SM
MD
LG