Ndërlidhjet

UNMIK-U PUBLIKON AGJENDËN E DELEGACIONIT TË KS-SË NË KOSOVË


Albana Isufi

Misioni faktmbledhës i Këshillit të Sigurimit do të qëndrojë në Kosovë, nga 26 deri më 28 të këtij muaji, dhe do të ketë takime me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve, partive politike dhe komuniteteve të tjera. Shefi për informim i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko, i tha Radios Evropa e Lirë, se misioni faktmbledhës fillimisht do të takojë shefin e UNMIK-ut dhe komandantin e KFOR-it. “Ata do të arrijnë të enjten në mbrëmje, pastaj të premten do të fillojnë takimet me shefin e UNMIK-ut dhe me komandantin e KFOR-it, presidentin dhe Ekipin e Unitetit, kryeministrin dhe ministrat, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, liderët shqiptarë të partive politike në Kuvend, si dhe liderët e partive politike serbe. Ata po ashtu, do të takojnë Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Peshkopin Artemie, si dhe kryetarin e Bashkësisë Islame”, tha Aleksander Ivanko. Misioni faktmbledhës i Këshillit të Sigurimit, që do të udhëhiqet nga misioni belg, do të vizitojë edhe disa lokacione jashtë Prishtinës. “Të premten ata do të vizitojnë edhe Mitrovicën e KEK-un. Ndërkaq, të shtunën do të vizitojnë Rahovecin, Krushën e Vogël dhe Brestovikun. Dhe në fund, në Aeroportin e Prishtinës do të mbajnë një konferencë me gazetarë”, tha Ivanko. Nuk dihet nëse misioni faktmbledhës do të takojë edhe serbët e zhvendosur, të cilët kanë paralajmëruar se do të tubohen në vendkalimin kufitar, në veri të Kosovës. Përfaqësuesi i Asociacionit, që në vete përmbledh serbët e zhvendosur, Nebojsha Joviq, tha se i kanë dërguar një letër përfaqësuesve të Kombeve të Bashkuara dhe të UNMIK-ut në Kosovë, ku kanë kërkuar, që misioni i Këshillit të Sigurimit të vizitojë mjediset serbe në Kosovë dhe të takohet me të zhvendosurit në kufi. “Ne dëshirojmë t’i themi Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që të vijnë në vendkalimin kufitar në veri, ku do të mblidhen të shpërngulurit, që do të jenë diku rreth 10 mijë persona. Do t’i pyesim, nëse janë pjekur kushtet për zgjidhjen e statusit final, kur në Kosovë ende nuk mund të kthehen rreth 250 mijë të zhvendosur serbë dhe të tjerë”, tha Joviq, i cili njoftoi se serbët do të mblidhen në kufi, në mëngjesin e 26 prillit. Shefi për informim i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko, thotë se nuk kanë marrë asnjë kërkesë zyrtare nga serbët e zhvendosur, përmes së cilës kërkohet takim me misionin e Këshillit të Sigurimit. “I përket misionit të Këshillit të Sigurimit, u përket atyre të vendosin, se kë do ta takojnë. Kështu që, nëse kemi diçka zyrtarisht, do t’ua dërgojmë atyre. Por, ne nuk kemi marrë deri tash asgjë në letër”, theksoi Ivanko. Ndryshe, autoritetet e rendit në Kosovë thonë se janë të përgatitur në përcjelljen e delegacionit të lartë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, thotë se policia nuk ka paraparë shtim të masave të sigurisë në rrugë. “SHPK-ja konsideron se problemet më të mëdha që do të hasen, do të jenë tollovitë në komunikacion, duke marrë parasysh se do të jetë një numër i madh i njerëzve në delegacion, agjendën e të cilit ende nuk e kemi të konfirmuar. Nuk e dimë saktë, se kah do të shkojnë, kështu që planet tona do t’i kemi fleksibile, varësisht nga rrugëtimi i tyre”, tha Elshani. Sjelljen e një misioni faktmbledhës të Këshillit të Sigurimit në Kosovë e ka kërkuar Federata Ruse, me qëllim, siç kanë thënë zyrtarë të saj, që të shikohet se sa është implementuar Rezoluta 12 44, para se të vendoset për statusin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG