Ndërlidhjet

RUECKER: PRES NGA DELEGACIONI I KS-SË TË KTHEHET ME NJË PASQYRË REALE


Albana Isufi

Kryeadministratori i Kosovës, Joachim Ruecker, pret që misioni i Këshillit të Sigurimit, pas vizitës në Kosovë, të kthehet me një pasqyrë reale mbi situatën në terren, pasi sipas tij, është thelbësore që para marrjes së vendimit për statusin e Kosovës, vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të kenë një qëndrim të balancuar dhe real për Kosovën. “Pres që delegacioni, pavarësisht kohës së kufizuar, të kthehet në New York me një pasqyrë të qartë të situatës, veçanërisht sa i përket zbatimit të Rezolutës 1244, se çfarë kemi bërë në këto 8 vjet, zbatimit të standardeve dhe të kuptojnë më mirë, se në çfarë kufizimesh punojmë ne këtu”, tha Ruecker, duke përfshirë në mesin e kufizimeve edhe mungesën e statusit final. Ai tha se do ta njoftojë misionin e Këshillit të Sigurimit me të arriturat, por edhe me sfidat dhe pakënaqësitë që ekzistojnë në Kosovë. Në mesin e pakënaqësive ai përmendi kthimin e vogël të të zhvendosurve serbë, mosintegrimin e serbëve në institucione dhe moszhvillimin ekonomik. Ruecker tha se është për të ardhur keq, që serbët nuk kanë shfrytëzuar përfitimet, që mund t’i kenë pasur, por kanë zgjedhur mosbashkëpunimin me autoritetet e Prishtinës. “Mesazhi im për ta është që të marrin pjesë në procese, si p.sh. në zbatimin e standardeve, pasi që përparim më i madh mund të arrihet nëse janë brenda, e jo të rrinë jashtë. Nuk është korrekte, që të izolosh vetveten e më pas të ankohesh për këtë izolim”, u shpreh Ruecker. Ai tha se është në dijeni, se serbët e zhvendosur në Serbi kanë planifikuar të kthehen, në ditën kur në Kosovë do të vijë misioni i Këshillit të Sigurimit. “Ne e kemi atë informacion, se njerëzit duan të mblidhen (në kufi), jashtë portës numër një. Natyrisht, nëse njerëzit duan të vijnë në Kosovë, ata janë të lirë ta bëjnë këtë. Natyrisht, se do të ketë kontrollim kufitar, por askush nuk ndalohet të vijë në Kosovë, siç edhe ka qenë gjithmonë”, theksoi Ruecker. Shefi i UNMIK-ut ka thënë se ardhja e shumicës së ambasadorëve në Kosovë, në kuadër të misionit të Këshillit të Sigurimit, tregon se Kosova gjendet lart në agjendën e komunitetit ndërkombëtar. Misioni faktmbledhës i Këshillit të Sigurimit do të qëndrojë në Kosovë nga 26 deri më 28 të këtij muaji, dhe do të ketë takime me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve, partive politike dhe komuniteteve të tjera. Ata po ashtu, pritet të vizitojnë Mitrovicën, KEK-un, Rahovecin, Krushën e Vogël dhe Brestovikun.
XS
SM
MD
LG