Ndërlidhjet

PASURITË MINERALE – MUNDËSI PËR INVESTIMET NGA JASHTË


Nadie Ahmeti

Kosova ka potenciale të mira njerëzore dhe pasuri natyrore, si mundësi për t’u shfrytëzuar nga investitorët e huaj. Kështu është thënë sot në Samitin për Investime dhe Biznes, që është mbajtur në Prishtinë. Udhëheqës të institucioneve vendore, para afro 50 përfaqësuesve të komitetit të biznesit të huaj, kanë thënë se Kosova është e njohur për pasuri të shumta minerale. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka thënë se institucionet vendore duhet të fokusohen në disa iniciativa prioritare, me qëllim të zhvillimit ekonomik. “Filloni projekte të reja të infrastrukturës! Projekte të mëdha, që do t’u ofrojnë në të ardhmen qasje në tregjet e mëdha, në mënyrë që të rritet numri i të punësuarve”, tha kryeministri Çeku. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Qeveria e Kosovës kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të hartuar politika zhvillimore, për të krijuar një mjedis sa më të përshtatshëm të biznesit dhe klimë sa më të favorshme investive, ka thënë ministri i Tregtisë, Bujar Dugolli. Sipas tij, Kosova tashmë llogaritet si një vend stabil, si për qytetarët e saj, ashtu edhe për ata të huaj që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë. “Gjatë këtyre viteve të pasluftës, ne kemi bërë përpjekje dhe kemi arritur të krijojmë një ambient makroekonomik të qëndrueshëm, duke mbajtur nivel shumë të ulët të inflacionit përmes sistemit të qëndrueshëm financiar, përmes një regjimi shumë liberal tregtar dhe regjimi të thjeshtë dhe të ulët të taksave. Dhe, kur asaj i shtohen lehtësirat që ofrohen me Kodin Doganor, atëherë lirisht mund të themi se ne kemi një bazë të shëndoshë dhe një ambient të volitshëm biznesi”, pohoi ministri Dugolli. Agjencia e Promovimit të Investimeve, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, do të jetë një derë e hapur për të gjitha kompanitë, që mendojnë se Kosova është destinacioni i tyre për investime, ka thënë Ejup Fejza, drejtor i kësaj agjencie. “Ne kemi organizuar edhe konferenca tjera jashtë Kosovës dhe kemi promovuar mundësitë tona për investime. Por, esenca ka qenë, që ne të sjellim në Kosovë investitorët e huaj dhe nga afër të përcjellim situatën që e ka Kosova, së pari të sigurisë që i ofron, dhe e dyta, mundësitë ose potencialet që Kosova ka dhe që investitorët e huaj do të mund t’i shfrytëzojnë në të ardhmen”, theksoi zoti Fejza. Michael Gold, biznesmen nga Republika Çeke, ndërkaq pohoi se problemet ekonomike në Kosovë, tashmë janë tejkaluar. “Kosova ka përparësi, sepse është pjesë e tregut rajonal dhe duhet të përfshihet në këtë treg. Ka popullatë të re dhe resurset bujqësore janë shumë atraktive për investitorët e huaj”, tha zoti Gold. Ahmet Shala, nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, tha se edhe deri më tash ka pasur të interesuar për investime në Kosovë, por sipas tij, investimet e mëdha kanë munguar për shkak të moszgjidhjes së statusit politik të Kosovës. “Besoj se në këtë pranverë, ky proces do të përfundojë. Nuk do të sjellë mrekulli dita e nesërme, pas pavarësisë, por sigurisht se do të sjellë shumë qartësi. Kjo është shumë e rëndësishme për Kosovën”, u shpreh zoti Shala. Ndryshe, Samiti për Investime dhe Biznes është i pari i këtij lloji, që mbahet në Kosovë dhe punimet do t’i përfundojë nesër.
XS
SM
MD
LG