Ndërlidhjet

INVESTIMET E HUAJA NË KOSOVË VAREN NGA FAKTORI NJERI


Nadie Ahmeti

Kosova ka hyrë në një fazë shumë dinamike të zgjidhjes së statusit përfundimtar, me çka pritet edhe të krijohen mundësitë për një zhvillim më të mirë ekonomik. Kështu ka thënë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, gjatë punimeve të sotme të Samitit për Investime dhe Biznes, qëllimi i të cilit është promovimi i resurseve të Kosovës përpara kompanive të huaja. “Resurse ka në energjetikë, resurse ka në pasuritë minerale, në sektorin e zhvillimit të bujqësisë dhe prodhimeve ushqimore, në sektorin e turizmit, në pozitën e mirë gjeografike që ka në rajon. Pastaj, janë resurset humane, popullsia shumë e re dhe me një disponim shumë të mirë për punë”, pohoi ministri Shatri. Ai tha se edhe politikat fiskale që aplikohen në Kosovë, janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e biznesit, por pengesë kryesore për investitorët e huaj aktualisht është furnizimi jo i rregullt me energji elektrike. “Pengesë kyçe në joshjen e investitorëve të huaj, ka qenë mosdefinimi i statusit të Kosovës. Pengesë tjetër është furnizimi jo i rregullt dhe jo i mjaftueshëm me energji, sepse ai shkakton humbje të drejtpërdrejta. Prandaj, pajtohem se duhet të merren masa për eliminimin e këtyre pengesave”, u shpreh ministri Shatri. Mimoza Kusari-Lila, drejtoreshë ekzekutive e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, pohon se ambienti për investime të huaja në Kosovë ekziston dhe është shumë i përshtatshëm, por është i varur nga faktori njeri. Sipas saj, mbetet detyrë e institucioneve kompetente, që të krijojnë politika favorizuese për investitorët e huaj. “Agjencia për Promovimin e Investimeve duhet të ketë një rol edhe më të madh, duhet të aktivizohet. Dhe, shpresoj se nëpërmjet kësaj agjencie dhe përmes legjislacionit përcjellës, ku rol të rëndësishëm do të ketë Parlamenti i Kosovës, do të mund të krijohet një ambient më solid për investime”, theksoi zonja Kusari-Lila. Agim Shahini, udhëheqës i Agjencisë Kosovare të Biznesit, investitorëve të mundshëm u ka premtuar, se Kosova ka stabilitet politik dhe ekonomik, që promovon sigurinë për investime. “AKB-ja dhe organizatat tjera biznesore po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për uljen e tatimeve në fitim, që Kosova të jetë sa më tërheqëse për investitorët”, tha zoti Shahini. Ndryshe, Samiti për Investime dhe Biznes është i pari i këtij lloji që është mbajtur në Kosovë. Pjesëmarrës kanë qenë edhe rreth 50 përfaqësues të bizneseve të ndryshme ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG