Ndërlidhjet

SERBËT PRESIN BISEDIME PËR AUTONOMINË E KOSOVËS


Zijadin Gashi

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës vlerësojnë se vizita e fundit e Këshillit të Sigurimit në Kosovë, do të ndihmojë në gjetjen e opsioneve të tjera, që e përjashtojnë pavarësinë e Kosovës si zgjidhje. Sipas tyre, plani i Beogradit për një autonomi të mbikëqyrur për Kosovën, do të ishte opsioni real. Kryetari i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviq, thotë se vizita e ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit është një ngjarje e rëndësishme, duke shtuar se kjo mund të sjellë në shprehje opsionet tjera për statusin e Kosovës, krahasuar me planin e Ahtisaarit. “Plani i Ahtisaarit është i vdekur, edhe nëse disa këtë ende nuk e pranojnë, ngase vet e kanë promovuar, mendoj në Uashington e Bruksel. Dhe tash, pres që do të pasojë një proces i ri, me ndërmjetës të ri dhe plan të ri”, thotë Milan Ivanoviq. Ndërkaq, anëtari i Ekipit Negociues të Beogradit nga Kosova, Marko Jakshiq, thotë se propozimi i Serbisë për autonominë e mbikëqyrur për Kosovën, ka treguar se nuk është vetëm plani i Ahtisaarit dokumenti bazë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. “Kemi një paralajmërim serioz nga disa vende anëtare të Këshillit të Sigurimit, sidomos pas vizitës në Kosovë, se Kosova nuk është e pjekur që të bëhet shtet i ri në Ballkan. Kështu që, oferta e Serbisë për autonomi të mbikëqyrur do të ishte oferta më e mirë dhe reale për zgjidhjen e këtij problemi”, shprehet Marko Jakshiq. Në anën tjetër, deputetja e Listës Serbe, Vesna Jovanoviq, thotë se pas vizitës së Këshillit të Sigurimit, mund të pritet që procesi i bisedimeve të vazhdojë edhe më tutje, deri në gjetjen e një zgjidhjeje për statusin e Kosovës. “Ajo çka pres dhe para së gjithash çka unë shpresoj, është se do të ketë përpjekje për një qasje tjetër, në lidhje me zgjidhjen e problemit të Kosovës, duke mos u mbështetur vetëm në pakon e Ahtisaarit”, thotë Vesna Jovanoviq. Ndryshe nga përfaqësuesit e serbëve, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe liderët e partive më të mëdha politike të shqiptarëve, besojnë se vizita e Këshillit të Sigurimit ishte nisma e fundit, para se kjo instancë të miratojë rezolutën e re për Kosovën, e cila do të bazohej në pakon e Ahtisaarit dhe rekomandimin e tij për pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën.
XS
SM
MD
LG