Ndërlidhjet

VERBEKE: QËNDRIMET E PALËVE MBI TË ARDHMEN E KOSOVËS MBETEN TË NDRYSHME


Ambasadori belg raportoi para KS-së

Misioni informues i Këshillit të Sigurimit në Kosovë ka qenë i suksesshëm dhe para së gjithash i ka krijuar një pamje të qartë përfaqësuesve të 15 vendeve anëtare.
Realiteti konkret i cështjes së Kosovës është bërë i qartë, shumë më tepër se më parë. Kosova nuk është më problem abstrakt", tha kreu i misionit informues të Këshillit të Sigurimit në Kosovë, ambasadori i Belgjikës Johan Verbeke.
Verbeke raportoi gojarisht para Këshillit të Sigurimit për takimet në Bruksel, Serbi, Kosovë dhe Vjenë. Fillimisht ai paraqiti qëndrimet e palëve me të cilat u takuan.
Këtu sipas ambasadorit Verbeke vecohet gatishmëria e Bashkimit Evropian për të marrë përgjegjësitë në Kosovë pas përcaktimit të statusit, ndonëse sic tha ai, pa e paragjykuar statusin.
Verbeke duke sjellë para Këshillit të Sigurimit përfundimet e misionit tha se në Kosovë shqiptarët dhe serbët e shikojnë ndryshe të ardhmen.
"Shqiptarët dhe serbët e Kosovës në shkallë të madhe jetojnë të ndarë dhe të dyja komunitet kanë qasje të ndryshme ndaj të ardhmes" tha ambasadori belg. Më tej ai shtoi se ishte inkurajuese gatishmëria e institucioneve vendore për të ndërtuar një shoqëri shumëetnike, derisa nuk harroi të theksonte dhe përparimin e arritur gjatë këtyre viteve në Kosovë.
"Institucionet e përkohshme dhe UNMIK-u kanë bërë përparim të dukshëm në përmbushjen e standardeve. Përmend këtu krijimin e institucioneve funksionale të mbështetura mbi konceptin e dhënjes së llogarisë para publikut", tha ambasadori belg në Kombet e Bashkuara për të shtuar:
"Institucionet e përkohshme shprehën angazhimin për të vazhduar përmbushjen e standardeve, vecanërisht në përmirësimin e jetës së pakicave."
Sipas Verbeke kthimi i të zhvendosurve mbetet ndër fushat ku suksesi ka qenë i kufizuar, por kjo ka shpjegimet e veta:
"Ndonëse strukturat për kthim janë ngritur mungesa e të ardhmes ekonomike, vështirësitë në lirinë e lëvizjes dhe shqetësimet që lidhen me sigurinë ishin arsyet kryesore që u përmendën pse kthimi ishte i kufizuar."
Por pas takimeve me të gjithë faktorët në terren ambasadori belg tha se ishte e qartë dallimi i madh në qëndrime mes palëve, kur flitet për statusin e Kosovës.
"Qëndrimet e palëve lidhur me propozimin mbi të ardhmen e Kosovës mbeten të ndryshme. Beogradi dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, me të cilët biseduam, kundërshtojnë fuqimisht propozimin e ofruar dhe cdo lloj zgjidhje që i jep Kosovës pavarësi.
Shqiptarët e Kosovës shprehën mbështetjen e padiskutueshme për propozimin dhe rekomandimet e paraqitura për statusin e ardhshëm të Kosovës", tha Verbeke. Ai shtoi se e prespektiva e qartë evropiane për Kosovën do cojë drejt përparimit ekonomik dhe politik, cfarë sjell stabilitet në rajon.
Nga ana tjetër për mediat ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara dhe njëherësh president i rradhës i Këshillit të Sigurimit tha se raporti me shkrim do paraqitet në ditët e ardhshme dhe do pasohet me diskutime në mesin e vendeve anëtare.
Khalizad përsëriti dhe qëndrimin amerikan:
"Duke folur për Shtetet e Bashkuara ne besojmë se duhet të ecim sa më shpejt që të jetë e mundur pas paraqitjes së raportit në mënyrë që ta sjellim një mbyllje të susksesshme sa i përket Kosovës."

Përgatiti: Ilirjana A. Bajo
XS
SM
MD
LG