Ndërlidhjet

MEDIAT NË KOSOVË – PJESËRISHT TË LIRA


Albana Isufi

Kanë qenë 13 raste në katër muajt e fundit, ku gazetarëve u janë shkelur të drejtat e tyre dhe kjo, sipas kreut të Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë, Gazmend Syla, tregon se liria e shtypit në Kosovë nuk respektohet plotësisht. “Kur merr dhe bën krahasim, se vetëm për 4 muaj shënohen 13 raste, atëherë del se situata nuk është gjithaq e mirë. Ky është njëri ndër indikatorët, që tregon se sa është në nivelin e duhur liria e shtypit në Kosovë dhe sa respektohen të drejtat e gazetarit”, tha Syla. Në raportin e ri, të publikuar nga Freedom House, për lirinë e shtypit në botë, thuhet se mediat në Kosovë kryejnë punën e tyre me vështirësi, për shkak të ballafaqimit me presione politike dhe vështirësi financiare. Freedom House, që është një organizatë pro demokracisë me seli në Washington, thekson se një nga përpjekjet për ndikimin e pushtetit në media, është edhe miratimi i ligjit për RTK-në, i cili vë buxhetin e këtij televizioni publik nën kontrollin direkt të Ministrisë së Financave. Ndërkohë, në një tryezë të organizuar për lirinë e shtypit, kryeministri Agim Çeku ka nënvizuar, se mediat në Kosovë nuk kanë kurrfarë presioni nga Qeveria. “Mendoj se Kosova është, pa diskutim, vendi i vetëm apo vendi i rrallë në rajon, ku mediat janë tërësisht të pavarura nga Qeveria”, theksoi kryeministri Çeku. Por, Gazmend Syla nga Asociacioni i Gazetarëve, thotë se Qeveria dhe ministrat, megjithatë, bëjnë presione indirekte te mediat. “Unë nuk besoj që të gjithë ministrat e Qeverisë së Kosovës janë ashtu sikurse i përshkruan zoti Çeku. Ka raste kur gazetat shkruajnë se çfarë ndodh edhe për presionet e anshme që u bëhen mediave. Nuk do të thotë se presion është vetëm kur një ministër i thotë X gazetës të mos shkruajë për X problemin. Një presion në media mund të jetë edhe ai, kur një ministri e bllokon shpalljen e tenderëve, apo organizimet e ndryshme në një X gazetë. Do të thotë, nuk ka se si të kuptohet ndryshe, përveçse presion”, u shpreh Syla. Freedom House, në raportin e rregullt për lirinë e shtypit në botë, shkruan se gazetarët në Kosovë ballafaqohen me presione indirekte dhe atyre u ofrohen ryshfete, në shkëmbim të mbulimit pozitiv të ngjarjes. Ndërkohë, gazetarët kosovarë ankohen se institucionet, përkatësisht Ekipi i Unitetit, nuk ka qenë transparent aq sa duhet gjatë procesit negociator. Kryeministri Agim Çeku ka pranuar se ka pasur hezitime që gjatë këtij procesi të publikohen dokumente, për shkak të, siç ka thënë ai, ndjeshmërisë së situatës. “Bërja publike e dokumenteve mund të përkeqësonte pozicionin tonë negociues. Pala tjetër që është në negociata, nëse vetëm paraprakisht e di pozicionin tonë, mundet shumë shpejt ta përshtatë pozicionin e vet apo të kërkojë më shumë, apo më pak. Dhe, është në një pozicion shumë më komod sesa pala jonë, nëse e di paraprakisht pozicionin tonë”, tha kryeministri Çeku. Në ditën botërore të shtypit, përfaqësuesi i agjencive të OKB-së në Kosovë, Rupert Fuderich, ka kërkuar nga mediat që të jenë promotorë i ndryshimeve. “Dita Botërore e Shtypit duhet t’i kujtojë organizatat qeveritare, ndërqeveritare e joqeveritare, si dhe shoqërinë civile, për rolin thelbësor, që një shtyp i lirë luan në forcimin e demokracisë dhe nxit zhvillimin në tërë botën. Në këtë ditë, le të rikujtojmë se mediat jo vetëm që informojnë për ndryshimet, por ato janë vetë agjentë të këtyre ndryshimeve”, u shpreh Fuderich. Sidoqoftë, sipas organizatës Freedom House, për shkak të mungesës së fondeve, politika editoriale e mediave në Kosovë nuk mund të ruajë pavarësinë nga Qeveria apo grupet e interesit. Në gjendje më të mirë thuhet se janë mediat që marrin ndihma nga jashtë.

XS
SM
MD
LG