Ndërlidhjet

ZGJEDHJET E ARDHSHME NË KOSOVË ME LISTA TË HAPURA


Rrahman Paçarizi

OSBE-ja bashkë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve tashmë kanë nisur aftësimin e ekipeve të tyre, për të përdorur listat e hapura qysh në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, thanë zyrtarë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, ndërkohë që po ndihmojnë autoritetet kosovare, për të marrë përsipër tërësisht udhëheqjen e procesit zgjedhor në Kosovën e pas statusit. Ndërkohë që ende nuk dihet se kur do të mbahen zgjedhjet e reja në Kosovë, pasi kjo varet nga përcaktimi i statusit të Kosovës, OSBE-ja po punon me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që është një trup institucional vendor, që do të udhëheqë të gjitha operacionet zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme, tha për radion Evropa e Lirë, Sven Lindholm, zëdhënës i OSBE-së në Prishtinë. “Në zgjedhjet e fundit, që u mbajtën në vitin 2004, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka udhëhequr shumicën e operacioneve zgjedhore brenda Kosovës, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme ata do të duhej të udhëhiqnin tërësisht procesin zgjedhor”, tha Sven Lindholm, duke shpjeguar se OSBE-ja po e kryeson grupin transitor për zgjedhjet, që po merret me parimet që do të propozohen për sistemin zgjedhor, që do të aplikohet edhe në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Ka qenë kërkesë e shumicës së partive politike, që në zgjedhjet e ardhshme të votohet me lista të hapura, në mënyrë që votuesit të mund të votojnë për kandidatët, e jo vetëm për partitë, si deri më tash. Zoti Lindholm tha se në grupin punues transitor për zgjedhjet, tashmë është diskutuar nisma për listat e hapura të votuesve, meqë është arritur pajtueshmëria me konsensus, që të propozohen listat e hapura për zgjedhjet e ardhshme. “Shpresojmë që kur të hartohet ligji për zgjedhjet, listat e hapura do të përfshihen në të, pasi ky është vullneti i grupit punues, që natyrisht ka në përbërjen e tij partitë politike dhe komunitetet”, u shpreh Lindholm. Sidoqoftë, ai tha se OSBE-ja është e bindur, që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është krejtësisht i përgatitur për të udhëhequr në tërësi procesin zgjedhor, pasi këtë e ka dëshmuar edhe në zgjedhjet e vitit 2004. “Komisioni Qendror do ta ketë rolin udhëheqës, mirëpo OBSE-ja me përvojën e saj do të jetë aty, për të ndihmuar që procesi të ndjekë rrjedhën e duhur që nga fillimi deri në fund”, tha Lindholm. Zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë qenë ato të vitit 2004, që janë mbajtur për Parlamentin e Kosovës. Ndërkohë që mandatet e deputetëve aktualë skadojnë në dhjetor të këtij viti, mandatet e këshilltarëve në asambletë komunale tashmë kanë skaduar. Në anën tjetër, sipas propozimit të Ahtisaarit, zgjedhjet në Kosovë do të mbaheshin jo më herët se nëntë muaj pas miratimit të rezolutës, që do të definonte statusin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG