Ndërlidhjet

120 DITË TË FAZËS SË TRANZICIONIT TË (PA)MJAFTUESHME PËR MIRATIMIN E LEGJISLACIONIT


Albana Isufi

Nëse pakoja për statusin e Martti Ahtisaarit hyn në fuqi, institucionet e Kosovës janë të obliguara që të miratojnë 18 ligje bazike gjatë periudhës 120 ditëshe tranzitore, të cilat do të aplikohen ditën që do të përfundojë kjo periudhë. Koordinatori i Qeverisë për tranzicionin, Avni Arifi, thotë se ligjet, si ai për të drejtat e komuniteteve, Ligji mbi Autoritetin e Aviacionit Civil, Ligji mbi Këshillin e Sigurisë së Kosovës dhe shumë të tjerë, janë ligje për të cilat deri tash institucionet nuk kanë pasur kompetenca t’i miratojnë. “Pothuajse të gjitha ligjet, janë ligje të reja. Janë ligje, që faktikisht nuk kanë qenë të nevojshme, apo që nuk kemi pasur kompetenca, apo janë të ndryshme nga ligjet ekzistuese”, tha Arifi. Pavarësisht se ligjet duhet bërë nga fillimi, Arifi mendon se periudha 120 ditëshe është e mjaftueshme për të mos lënë hapësirë për vakuum ligjor. “Mund të them se shumica e tyre janë në periudhën e fundit të hartimit. Më pas do të dërgohen në zyrën e kryeministrit, ku do të krijohen grupet punuese, të cilat do të rishqyrtojnë dhe do të plotësojnë ligjet, pasi po flasim për hartimin e parë të ligjeve”, u shpreh Arifi. Megjithatë, deputetë të Kuvendit të Kosovës thonë së gjërat nuk do të shkojnë edhe aq lehtë. Kryetari i Komisionit për çështje Kushtetuese dhe Legjislacion, Hydajet Hyseni, thotë se pakoja e Ahtisaarit nuk është shumë e qartë, çka sipas tij, mund të vështirësojë miratimin e shpejtë të ligjeve. “Problemi është se dokumenti i Ahtisaarit ka paraparë disa zgjidhje, që bien ndesh me procesin e deritashëm të legjislacionit, të zgjidhjeve sistemore në shumë fusha, që personalisht konsideroj se do të jetë një vështirësi plotësuese. Megjithatë, Kuvendi i Kosovës do të jetë i gatshëm që të ballafaqohet me këtë sfidë”, theksoi Hyseni. Gjatë periudhës 120 ditëshe, të gjitha rregulloret e UNMIK-ut, që aktualisht rregullojnë fushat, të cilat nuk kanë qenë përgjegjësi e institucioneve të Kosovës, do të shndërrohen në ligje të institucioneve përkatëse, pasi pas kësaj periudhe UNMIK-u do të pushojë së ekzistuari. Avni Arifi thotë se periudha katër mujore është e shkurtër për tranzicionin legal. Megjithatë, ai është optimist se me një angazhim më të madh, kosovarët mund të përmbushin obligimet. “120 ditë janë shumë pak, për aq shumë sa pritet. Është vështirë të thuhet se si do të jetë, por unë jam shumë optimist në atë, se ne do t’i kryejmë të gjitha obligimet me kohë”, tha Arifi. Ndërkohë, Kreu i Komisionit për Çështje Kushtetuese dhe Legjislacion, Hydajet Hyseni, thotë se puna e Kuvendit do të varet shumë edhe nga forma që do të marrë dokumenti përfundimtar për statusin e Kosovës. “Nga pikëpamja cilësore, do të varet shumë edhe nga ajo se çfarë forme do të marrë dokumenti përfundimtar, edhe në rastin e shndërrimit të tij në rezolutë, dhe sidomos, në formën e misionit të ri ndërkombëtar që do të vendoset në Kosovë”, tha Hyseni. Periudha e tranzicionit përfshin fazën 120 ditëshe, nga dita e miratimit të rezolutës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, deri në largimin e UNMIK-ut dhe dorëzimin e kompetencave tek kosovarët. Një pjesë e këtyre kompetencave do të bartet edhe tek misioni i ardhshëm civil ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG