Ndërlidhjet

PRISHTINA KËRKON NGA KS-JA REZOLUTË TË QARTË DHE JO DYKUPTIMËSI


Zijadin Gashi

Ekipi i Unitetit ka shprehur sot besimin, se Këshilli i Sigurimit do të miratojë një rezolutë të qartë, lidhur me statusin e Kosovës, e cila nuk do të ketë dy kuptimësi. Në një takim të përbashkët, që ka zhvilluar sot Ekipi i Unitetit me shefin e UNMIK-ut, Joachim Ruecker, është biseduar për rrjedhat e procesit të finalizimit të statusit dhe procesin e tranzicionit. Shefi i UNMIK-ut, Ruecker, tha se i ka transmetuar lidershipit të Kosovës qëndrimin e Bashkimit Evropian, se në New York, kur të vijë puna në miratimin e rezolutës, vendet e Bashkimit Evropian do të mbështesin rezolutën dhe pakon e Ahtisaarit. “Bashkimi Evropian do të flasë me një zë dhe dihet se BE-ja e mbështet planin e Ahtisaarit”, tha Ruecker, duke u thirrur në zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel, ku Ruecker ka qëndruar javën e kaluar. Ndërkohë, zëdhënësi i Ekipit të Unitetit, Skënder Hyseni, tha se procesi i hartimit të rezolutës për Kosovën është ende ne fazën fillestare dhe nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë projekt-rezolutë. Ai tha se në New York aktualisht po bisedohet për elementet që mund të përmbajë rezoluta e re për Kosovën. Prandaj, sipas Hysenit, Ekipi i Unitetit, duke u bazuar në të kaluarën, kur në Kombet e Bashkuara kanë miratuar rezoluta me dy kuptime, kësaj radhe kërkon që rezoluta të jetë e qartë dhe si bazë të vetën të ketë pakon e Ahtisaarit. “Shumë herë në të kaluarën, gjatë 17 vjetëve të fundit, jemi ballafaquar me rezoluta të shpeshta të OKB-së për Kosovën. Dhe, sa herë që nuk ka pasur qartësi të duhur, e ka pësuar Kosova. Domethënë, është vetëm një mësim nga leksionet e mëhershme, që ne na bën ta theksojmë nevojën për qartësi maksimale të rezolutës së ardhshme për Kosovën”, ka theksuar Hyseni. Ai tha se Ekipi i Unitetit e vlerëson si shumë të rëndësishëm, që statusi i Kosovës të rrumbullakësohet përmes Këshillit të Sigurimit, duke parashikuar dhe mënyrën e integrimit dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat e mekanizmat ndërkombëtarë. “Rëndësia e kësaj qëndron në beneficionet, që Kosova do t’i ketë nëse do të jetë një proces i kontrolluar nga OKB-ja. Lehtësia e anëtarësimit në organizmat ndërkombëtarë, lehtësia e bashkimit të Kosovës me nisma të ndryshme ndërkombëtare, qoftë në nivel të rajonit, qoftë në nivel evropian, qoftë në nivel botëror”, theksoi Hyseni. Ai tha se Prishtina zyrtare pret që rezoluta të miratohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, Hyseni shtoi po ashtu, se agjenda e delegacionit të Kosovës nuk ka ndryshuar dhe nuk bëhet fjalë për humbjen e durimit dhe deklarimin e njëanshëm të statusit pa marrëveshje me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, siç spekulohet në deklarata dhe media të ndryshme. Po sot, kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, dhe komandanti i KFOR-it, Roland Kather, kanë biseduar për gjendjen aktuale politike dhe atë të sigurisë, të cilën e kanë vlerësuar të qëndrueshme. Gjenerali Kather tha se nuk ka indikacione, që tregojnë se mund të pritet përshkallëzim i gjendjes së sigurisë. Megjithatë, ai theksoi se KFOR-i është i gatshëm të përballet edhe me të papritura. Gjenerali Kather tha se trupat rezervë të ushtarëve gjermanë do të jenë më aktivë, në qoftë se do të ketë nevojë, sidomos gjatë muajit qershor dhe korrik. Ai bëri të ditur se brenda pak ditësh do të vijë në Kosovë edhe një kontingjent i ushtarëve rezervë italianë, të cilët do të ndihmojnë KFOR-in në këtë periudhë vendimtare për Kosovën. Ndërkaq, kryeministri Çeku tha se për Kosovën është fat i mirë që nuk ka më nisma të tjera për bisedime e negociata dhe se procesi është në fazën e hartimit të rezolutës së re, e cila do të shfuqizojë Rezolutën aktuale 1244, dhe me të do të fillojë të zbatohet pakoja e Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën, me një prani civile ndërkombëtare dhe ushtarake të NATO-s.
XS
SM
MD
LG