Ndërlidhjet

FQINJËT TERRORISTË?


"Washington Post"

Në lagjen Mimosa Drive, në Cherry Hill, New Jersey jetojnë familje me prejardhje etnike nga më të ndryshmet dhe në mesin e tyre, në shtatë vitet e fundit ka jetuar edhe familja Duka, e përkatësisë shqiptare. Të martën në mëngjes, kjo lagje morri një pamje tjetër nga ajo që kishte më parë, pas arrestimit të tre vëllezërve Duka, të cilët kishin kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre në New Jersey, nën dyshimin për pjesëmarrje në një komplot terrorist kundër bazës ushtarake Fort Dix. Ekspertët prej kohësh kanë tërhequr vërrejtjen se kërcënimi më i madh terrorist në të ardhmen do të vijë nga njerëzit që jetojnë brenda Shteteve të Bashkuara dhe që nuk kanë ndonjë lidhje me Al Qaedan. Shumica e gjashtë të arrestuarve të martën janë evropianë dhe nuk vijnë nga Lindja e Mesme. Madje, ata vijnë nga pjesa më pro-amerikane dhe sekulariste e botës myslimane, nga rajoni i banuar me shqiptarë në Maqedoni, ku mirënjohja për ndihmën që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës vazhdon të jetë ende shumë e madhe. Në Cherry Hill, fëmijët e tyre kanë luajtur futboll dhe video lojëra së bashku me fëmijët e fqinjëve; vëllezërit Duka ndërkaq kanë shfrytëzuar lutjet e së premtës në xhami për të reklamuar biznesin e tyre për rregullimin e çative.
Zurata Duka, e ëma e tre vëllezërve të arrestuar, pohon se ata janë të pafajshëm dhe çuditet me faktin pse fqinjët tani ikin prej saj. “Djemtë e mi nuk janë zënë duke bërë ndonjë gjë, nuk ka dëshmi për ta, vetëm për ata tre të tjerët”, ka thënë zonja Duka. Në jetën e tyre të përditshme, bazuar në dhjetëra intevistimet që janë bërë me fqinjët, autoritetet dhe të afërmit, gjashtë të arrestuarit kanë qenë të shkrirë në mënyrën e të jetuarit që e karakterizon pjesën jugore të New Jerseyit.
Pjesëtarët e xhamisë në këtë lagje i mbajnë mend Dukajt ndryshe. Vëllau më i madh, Dritani, 28 vjeç, përshkruhet të ketë qenë miqësor, duke treguar barcoleta dhe duke u sjellur mirë. Një qytetar amerikan me prejardhje nga Tunisi, ka thënë se vëllezërit vinin në xhami vetëm për lutjet e së premtës, por ata nuk kanë lënë përshtypjen se janë besimtarë të fuqishëm dhe nuk janë dukur si njerëz që urrejnë Shtetet e Bashkuara. Por, që të gjashtit do të dalin përpara gjykatësit të premtën në një seancë dëgjimore për dorëzani. Për Cherry Hill ndërkaq, çështja mbetet nëse qyteti do të mund ta ruajë tolerancën që e ka identifikuar krenarinë e komunitetit të tij. Mike Levine, 38 vjeç, i cili jeton afër familjes Duka, thotë se i ka pasur fqinjë të mirë, të cilët i kanë dhënë perime nga kopshti i tyre dhe të cilët janë sjellë shumë këndshëm.
“Më parë do të besoja se janë jashtëtokësorë se sa të mendoja se janë terroristë. Nuk dua të çajë kokën se çfarë bëjnë fqinjët e mi prapa dyerve të mbyllura, por tani ndoshta më duhet të mendoj kësisoji”, thotë zoti Levine.


XS
SM
MD
LG