Ndërlidhjet

THAÇI: VENDIMET E NJËANSHME PËR STATUSIN E KOSOVËS JANË TË DËMSHME


Zijadin Gashi

Me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, brenda pak ditësh Kosova do të bëhet një vend i pavarur, ka pohuar sot lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi. Në një konferencë për media, Thaçi tha se pavarësia e Kosovës nuk do të arrihet me vendime të njëanshme të Prishtinës, por në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, sidomos me aleatët që e kanë mbështetur dhe vazhdojnë ta përkrahin Kosovën, edhe në këto ditë vendimtare për statusin e saj. “Ne e kemi çliruar Kosovën bashkë me ndërkombëtarë dhe do ta pavarësojmë bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, me NATO-n, me të gjithë partnerët tjerë. Edhe sot, e ftoj Rusinë që të jetë pjesë e vendimit pozitiv për të ardhmen e Kosovës. Mendoj që vendimet e njëanshme janë shumë të dëmshme dhe janë të paimagjinueshme. Kështu që unë nuk do të jem pjesë e atyre veprimeve të njëanshme, por do të jem pjesë e veprimeve të përbashkëta me Washingtonin e Brukselin”, theksoi Thaçi. Ndërsa pavarësia, sipas liderit të partisë më të madhe opozitare, është çështje e kryer, ai tërhoqi vëmendjen dhe në shumë sfida që e presin Kosovën pas arritjes së shtetësisë së saj. “Pavarësia është kapitull i përmbyllur. Padyshim, ajo ditë do të jetë edhe ditë festimi, por do të jetë edhe ditë pune, sepse para nesh do të kemi sfida të mëdha, sfida shumë të rëndësishme. Ne duhet të punojmë, në mënyrë që e ardhmja jonë të jetë e sigurt dhe shumë më e prosperuar”, pohoi ai. Në vazhdim, Thaçi është përqendruar në prioritetet e Kosovës pas statusit. Zhvillimi ekonomik dhe ulja e shkallës së lartë të papunësisë, sipas tij, do të jenë disa prej angazhimeve, por edhe sfidave më të mëdha të Kosovës pas statusit. “Gjëja më e rëndësishme që duhet bërë është që t’i themi botës dhe t’i sigurojmë investitorët ndërkombëtarë se jemi të gatshëm, të aftë, të përgjegjshëm dhe kemi vullnet për bashkëpunim, për krijimin e kushteve edhe favorizuese të biznesit kosovar dhe ndërkombëtar”, tha ai. Hashim Thaçi tha se pavarësia paraqet një mundësi unike për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën, prandaj ai kërkoi nga institucionet dhe strukturat tjera vendore, që të jenë të përgatitura për Kosovën e re, si një vend modern e demokratik, por edhe të zhvilluar ekonomikisht.

XS
SM
MD
LG