Ndërlidhjet

SERBËT E KOSOVËS KUNDËR KTHIMIT TË RADIKALËVE NË PUSHTET


Rrahman Paçarizi

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës konsiderojnë se zgjedhja e zëvendëskryetarit të Partisë Radikale Serbe, Tomislav Nikoliq, në krye të Kuvendit të Serbisë, është një porosi e keqe drejtuar bashkësisë ndërkombëtare dhe kthim në pushtet i atyre forcave, që i kanë sjellë serbët e Kosovës në situatën aktuale. Ata po ashtu mendojnë, se ky zhvillim do të ketë ndikim negativ në proceset integruese të Bashkimit Evropian. Shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Rangjel Nojkiq, thotë se kjo është një zgjidhje e keqe për Serbinë, për serbët kudo qofshin ata, e sidomos për serbët e Kosovës. “Zgjidhja është shumë e keqe, para së gjithash, për shkak se tash është në proces zgjidhja e statusit të Kosovës. Dhe, kjo zgjidhje i vë serbët në pozicion shumë të vështirë“, tha Nojkiq, sipas të cilit, kjo dëshmohet edhe nga reagimet e bashkësisë ndërkombëtare. “Reagimet që vijnë nga bashkësia ndërkombëtare, si nga Bashkimi Evropian, ashtu edhe nga vendet e tjera, flasin qartë se kjo zgjidhje nuk do t’i kontribuojë përmirësimit të pozicionit të Serbisë“, theksoi Nojkiq. Kryetari i Këshillit Nacional Serb për Kosovën qendrore, Dragan Veliq, thotë se zgjedhja e Tomislav Nikoliqit për kryetar të Kuvendit të Serbisë, nuk dërgon mesazh të mirë te bashkësia ndërkombëtare. “Është e sigurt, se një zgjedhje e këtillë nuk dërgon porosi të mirë“, u shpreh Veliq. Ai mendon se do pasur parasysh, sidomos fakti se bëhet fjalë për Partinë Radikale Serbe dhe për Partinë Socialiste të Serbisë. “Zoti Nikoliq i ka takuar partisë, e cila bashkë me Partinë Socialiste, ka qenë përgjegjëse për ato që kanë ndodhur dhe që i kanë shkaktuar shumë fatkeqësi popullit serb“, tha Veliq. Zgjedhja e Nikoliqit, në fakt, është një përpjekje, që në Serbi të kthehen në pushtet forcat që u mundën në tetorin e vitit 2000, thotë ndërkaq Rangjel Nojkiq. “Është fjala pikërisht për ata që i sollën serbët e Kosovës në këtë gjendje. Dhe, pjesë e këtij mekanizmi ishte edhe Partia Radikale dhe zoti Nikoliq“, ka theksuar Nojkiq. Kjo zgjedhje, sipas zotit Veliq, do të ndikojë dhe do të vështirësojë kërkesat e palës serbe në marrjen e vendimit për statusin e Kosovës. “Duke pasur parasysh ato që kanë ndodhur në 15 vjetët e fundit dhe duke pasur parasysh qëndrimin e Perëndimit, kjo do ta vështirësojë së tepërmi pozicionin e Serbisë“, u shpreh Veliq. Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe të partive politike të shqiptarëve kanë vlerësuar se zgjedhja e Tomislav Nikoliqit për kryetar të Kuvendit të Serbisë, është një çështje e tyre e brendshme, por edhe përpjekje për kthimin në pushtet të forcave që u kanë shkaktuar shumë të këqija shqiptarëve të Kosovës.
XS
SM
MD
LG