Ndërlidhjet

EKIPI I UNITETIT SHTYN MARRJEN E VENDIMIT PËR SIMBOLET E KOSOVËS


Zijadin Gashi

Ekipi i Unitetit, që përfaqëson udhëheqësit më të lartë të institucioneve dhe ata të opozitës, nuk ka arritur as sot që të përcaktojë kriteret për simbolet shtetërore të Kosovës. Në mungesë të konsensusit, u tha se do të shqyrtohen edhe opsionet rezervë, sidomos në lidhje me çështjen e stemës së Kosovës, pasi që ajo është e domosdoshme për pasaportën e ardhshme kosovare. Që kosovarët të mos mbeten të izoluar nga bota pas largimit të UNMIK-ut, kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, tha se po shqyrtohet mundësia e nxjerrjes së një pasaporte të përkohshme, e cila mund të ketë një stemë të përkohshme apo edhe të jetë e zbrazët, pa të. “Kjo është çështje jo e lehtë dhe kërkon konsulta të shumta ndërmjet gjithë spektrit politik. Ne duhet të marrim edhe një vendim politik, që të shkojmë me një simbol të përkohshëm, apo ndoshta edhe pa simbol fare. Dhe, atë ditë kur ta vendosim simbolin, atëherë të fillojmë të vendosim stemën e Kosovës në pasaportat e ardhshme”, ka theksuar kryeministri Çeku. Në anën tjetër, shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, tha sot se përcaktimi i simboleve i takon lidershipit të Kosovës, kurse administrata ndërkombëtare, sipas tij, ka vetëm një rol anësor, duke i rikujtuar kosovarët se pas largimit të UNMIK-ut, dokumenti aktual i udhëtimit i kësaj administrate nuk do të vlejë më gjatë. “Pas 121 ditëve të rezolutës së Këshillit të Sigurimit, që do të thotë pas periudhës së tranzicionit, kosovarët duhet të nxjerrin pasaportën e tyre, pasi që dokumenti i udhëtimit i UNMIK-ut nuk do vlejë më gjatë”, ka thënë Ruecker. Sipas tij, në rast se kosovarët nuk do të arrijnë që deri atëherë të nxjerrin pasaportën e tyre, atëherë do të kërkohet nga New York-u të shqyrtojë mundësinë për vazhdimin e validitetit të dokumenteve aktuale të udhëtimit, të UNMIK-ut, por, për një mundësi të tillë, tha ai, varet krejtësisht nga vendimi që do të marrin më pas Kombet e Bashkuara. Ndërkaq, lidhur me rrjedhën e takimit të sotëm të Ekipit të Unitetit, zëdhënësi Skënder Hyseni tha se çështja e simboleve si edhe e pasaportës kosovare ka mbetur të shqyrtohet sërish javën e ardhshme. Ai tha se Ekipi kosovar pëlqen që të arrijë vetë një zgjidhje dhe nuk e parapëlqen mundësinë e ndërhyrjes nga jashtë, nga ana e faktorit ndërkombëtar, për zgjidhjen e kësaj çështjeje, e cila, sipas tij, është shumë komplekse dhe aspak e lehtë. “Ekipi i Unitetit nuk parapëlqen që dikush tjetër t’i përcaktojë simbolet. Por, që ka vështirësi me simbolet është e natyrshme, me gjithë vullnetin që ekziston. Unë besoj, që prej javës së ardhshme, të paktën kështu është thënë sot, në Ekip të Unitetit do të insistohet që të punohet më me intensitet në këto çështje”, është shprehur Hyseni. Në pakon e Ahtisaarit, të cilën pala kosovare e ka miratuar, parashihet që Kosova t’i ketë simbolet e veta, flamurin, himnin dhe stemën, të cilat thuhet se duhet të pasqyrojnë karakterin shumetnik të Kosovës. Sidoqoftë, mbetet te Ekipi i Unitetit, por edhe te partitë politike dhe Kuvendi i Kosovës, që ditëve në vijim, të vendosin se do të përqafojnë idenë e simboleve të përkohshme apo idenë e arritjes së konsensusit për simbolet e përhershme të Kosovës.

XS
SM
MD
LG