Ndërlidhjet

RRITET NUMRI I TË INFEKTUARVE ME 'SIDA' NË KOSOVË


Nadie Ahmeti

Në Kosovë ka filluar të rritet numri i personave të infektuar me virusin HIV, që njihet me akronimin SIDA. Vetëm në fillim të këtij viti janë paraqitur tre persona të infektuar me këtë sëmundje, thotë Edona Deva, nga Ministria e Shëndetësisë, që njëherit udhëheq edhe Komitetin Kosovar të SIDA-s. Megjithatë, zonja Deva tha se Kosova ende vazhdon të mbetet vendi me nivelin më të ulët të të infektuarve me virusin HIV, ndonëse janë rritur faktorët e rrezikshmërisë. “Tani, numri ka arritur në 70, sipas raportit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Ky numër është rritur për dy, në fund të vitit të kaluar, dhe për tre të rinj, në fillim të këtij viti”, thotë zonja Deva. Disa qytetarë kanë ngritur çështjen e mungesës së një fushate më intensive për vetëdijesimin e shoqërisë, posaçërisht të të rinjve, rreth kësaj sëmundjeje. Naime Beqiraj, nga Prishtina, thotë se popullata nuk është e njoftuar në mënyrë të duhur për mbrojtjen dhe parandalimin e këtij virusi. “Kam parë në gazeta, kam parë edhe në pano, por nganjëherë mendoj se këto fushata janë shumë të thata. Qëllimi është shumë i mirë, një fushatë, para së gjithash shumë njerëzore. Mirëpo, krejt atë çka më ka interesuar për këtë, unë e kam lexuar në libra dhe internet, dhe shumë pak kam mësuar nga fushatat që bëhen në Kosovë”, shprehet Naimja. Rina Dragidella, nxënëse e klasës së nëntë, thotë se burim i vetëm i informimit për këtë sëmundje janë mediat. Ajo thotë se fushatat, të cilat përgatiten vetëm në ditën ndërkombëtare të SIDA-s, janë të pakuptueshme për popullatën. “Mendoj se nuk janë të mjaftueshme, sepse nuk janë në qendër të popullatës, nuk hynë brenda popullatës të tregojnë problemin. Nuk janë të mjaftueshme, sepse shumica e popullatës as që e dinë se çka është, sepse nuk mbërrin në veshin e personave që duhet ta dinë atë”, thotë Rina. Fidaije Krasniqi, nga Organizata Joqeveritare ‘Dëgjo Rininë’, e cila merret pikërisht me vetëdijesimin e popullatës mbi SIDA-n, thotë se institucionet, në përgjithësi, nuk e kanë marrë me seriozitet luftën kundër kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse. “Nuk e kanë marrë si shumë të rëndësishme këtë gjë, informimin dhe sensibilizimin e popullatës. Më shumë merren me edukimin shëndetësor në përgjithësi, sesa me HIV-AIDS”, pohon zonja Krasniqi. Por, Edona Deva, nga Ministria e Shëndetësisë, thotë se kjo ministri nuk ka më shumë buxhet për fushata. “E dimë se përgjegjësia nuk është vetëm e Ministrisë së Shëndetësisë, në aspektin e parandalimit, por institucionet tjera nuk tregojnë ndonjë interesim të madh në investime për parandalimin e HIV-it”, shprehet zonja Deva. Ndryshe, ajo thotë se mosha e personave të infektuar me këtë virus sillet prej 30 deri në 39 vjeç, e të dyja gjinive, por tani kategoria më e rrezikuar është ajo e të rinjve. “Vetë fakti se në Kosovë ekziston një numër relativisht i madh i popullatës së re, e cila ballafaqohet me ndryshimin e normave dhe sjelljeve, me një papunësi të lartë; e në anën tjetër, lulëzimi i ‘industrisë së seksit komercial’ në Kosovë dhe rritja e përdorimit të substancave psiko-aktive”, vlerëson zonja Deva. Sidoqoftë, virusi HIV, për herë të parë në Kosovë është paraqitur në vitin 1986 dhe që prej atëherë janë evidentuar 70 raste, 28 prej të cilëve kanë vdekur, përfshirë këtu edhe një fëmijë 13 vjeçar.
XS
SM
MD
LG