Ndërlidhjet

IVANOVIQ: EDHE ME PAJTIMIN E RUSISË, REZOLUTA DO TË SHKAKTOJË TENSIONE TË MËDHA


Rrahman Paçarizi

Serbët e Kosovës thonë se nuk kanë menduar për alternativa, në rast të pavarësimit të Kosovës, pasi janë të bindur se kjo është e pamundur, ndonëse në një situatë të tillë, ata thonë se gjëja më e rëndësishme do të ishte ruajtja e pranisë së serbëve në Kosovë. Kryetari i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviq, tha se plani i Martti Ahtisaarit nuk mund të jetë bazë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Prandaj, shton ai, edhe nëse në një rast të imagjinuar ai plan do të miratohej, ai nuk do të pranohej nga autoritetet e Serbisë dhe nga serbët e Kosovës. “Ky plan është në shpërputhje me ekzistencën tonë këtu dhe me interesat nacionale dhe shtetërore të Serbisë”, ka thënë Milan Ivanoviq, sipas të cilit, kjo është arsyeja kryesore pse as duhet menduar për ndonjë alternativë tjetër. Anëtari nga Kosova i Grupit Negociues të Serbisë, Marko Jakshiq, është i bindur në qëndrimin e tij, se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk mund ta miratojë rezolutën e re, të mbështetur mbi planin e Ahtisaarit. “Ai plan, pavarësisht nga gjoja bisedimet që janë zhvilluar, nuk do të kalojë”, u shpreh Marko Jakshiq, ndërkohë që bartësi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq, mendon se është gjithnjë me i pasigurt miratimi i rezolutës së re në Këshillin e Sigurimit, që del nga plani i Martti Ahtisaarit. Ai thotë se kundërshtimi i Rusisë dhe i Kinës është i qartë, si edhe pozicioni i Serbisë që nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, që paraqesin pengesat kryesore ndaj miratimit të një rezolute të re mbi atë bazë. “Mendoj se rezoluta eventuale, qoftë edhe me pajtimin e Rusisë dhe të Kinës, do të shkaktonte tensione të mëdha në Serbi, e prandaj edhe në Kosovë”, është shprehur Oliver Ivanoviq, duke shtuar se “kjo do të thotë, se në disa vitet e ardhshme, ne do të detyroheshim të merremi me politikë dhe jo me zhvillimin ekonomik”. “Kthimi dhe integrimi i Kosovës do të bëhej temë dominuese, ashtu si edhe përpjekja e Serbisë, që Kosova me mjete politike dhe me mjete të tjera, të rikthehej në kuadër të Serbisë”, tha Oliver Ivanoviq. Nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb për Kosovën qendrore, Rada Trajkoviq, thotë, se pavarësisht nga rrjedha dhe rezultati i zgjidhjes së statusit të Kosovës, serbët do të duhej të mbeteshin në këto hapësira, duke pasur edhe mbështetjen e plotë të autoriteteve të Beogradit. “Deri në atë moment, që nuk ndiejmë se ajo hapësirë është shtet i huaj dhe që nuk do të ndiheshim si në vendin tonë, por si të huaj, ne gjithsesi do të kërkojmë të mbetemi këtu dhe do të kërkojmë mbështetjen e Beogradit”, ka theksuar Rada Trajkoviq, për të shtuar se në këtë moment politik, më e rëndësishmja është që të ruhet prania e popullit serb në Kosovë dhe ndërtimi i raporteve të fqinjësisë së mirë me të gjithë.


XS
SM
MD
LG