Ndërlidhjet

KAH DO TË SHKOJË EKONOMIA PAS STATUSIT?


Nadie Ahmeti

Ekspertë vendorë për çështje ekonomike japin mendime të ndryshme rreth përmirësimit të zhvillimit ekonomik, pas zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës. Safet Gërxhaliu, zyrtar për marrëdhënie me jashtë në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës nuk do t’i zgjidhë problemet ekonomike, por pas kësaj periudhe, do të lindin probleme dhe sfida edhe më të mëdha në këtë fushë. “Shumë mendojnë, se me zgjidhjen e statusit, gjërat do të ndryshojnë, dhe që nga dita e parë e zgjidhjes së statusit, çdo gjë do të jetë në akull dhe do të lëvizë në vendin e vet. Jo, besoj se me definimin e statusit, Kosovës tek i lindin probleme dhe sfida edhe më të mëdha se ato deri më tani”, u shpreh zoti Gërxhaliu. Ai pohon se problemet ekonomike tashmë janë grumbulluar në masë të madhe, pasi sipas tij, me vite të tëra janë anashkaluar dhe zgjidhja e tyre kërkon shumë kohë, edhe pas zgjidhjes së statusit. Pas zgjidhjes së statusit, sipas zotit Gërxhaliu, në radhë të parë do të rriten shpenzimet e funksionimit të shtetit të ri. “Në rend të parë, shpenzimet e funksionimit të shtetit do të dyfishohen, ndoshta edhe më tepër. Dhe vetvetiu lind pyetja, se nga do t’i sigurojmë. Në rend të dytë, nëse nuk bëhet harmonizimi i politikave fiskale karshi atyre të rajonit, atëherë është e pamundur të bisedohet se do të kemi investime direkt nga jashtë. Në qoftë se nuk do të kemi investime direkt nga jashtë, atëherë Kosovën e pret një sfidë e madhe”, vlerëson zoti Gërxhaliu. Dardan Stublla, këshilltar i ministrit të Ekonomisë, thotë se kjo ministri ka një buxhet stabil për përballimin e shpenzimeve pas statusit. “Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Ekonomisë dhe Financave, ka një buxhet stabil, i cili garanton shpenzimet për status dhe koston pas statusit”, thotë zoti Stublla. Edhe Ymer Havolli, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore “RIINVSET”, shpreson se pas zgjidhjes së statusit, do të sigurohet një qëndrueshmëri ekonomike. Për këtë, zoti Havolli përmend disa faktorë. “Faktori i parë është se Qeveria e Kosovës do të ketë ingirenca shtesë, që të lidhë marrëveshje me institucionet tjera ndërkombëtare. Pastaj, pas fazës së zgjidhjes së statusit, do të ketë një konferencë të donatorëve, e cila do të targetojë të gjitha ato fusha kyçe, të cilat do të gjenerojnë vende të reja të punës në Kosovë“, u shpreh zoti Havolli. Safet Gërxhaliu nuk shpreson se konferenca e donatorëve do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes ekonomike. Ai madje thotë, se shumica e mjeteve financiare nga kjo konferencë do t’i dedikohen funksionimit të faktorit ndërkombëtar në Kosovë, faktor ky që edhe pas zgjidhjes së statusit do të jetë prezent. Ndërkaq, pjesa tjetër e mjeteve që do të ndahen për asistencë ekonomike, politike dhe sociale, zoti Gërxhaliu thotë se do të realizohen vetëm përmes projekteve konkrete, të cilat, sipas tij, ende mungojnë. “Nuk do të ketë financim apo mjete të gatshme të investuara në Kosovë. Por, do të ketë vetëm përkrahje për zbatimin e projekteve, të cilat e kanë një arsyeshmëri të qëlluar. Vetë fakti se tetë vjet pas përfundimit të luftës, Kosova nuk e ka një strategji të mirëfilltë apo një kulm të zhvillimit ekonomik të Kosovës, dëshmon për faktin se Kosova për problemet ekonomike ka qenë e panjohur”, thekson zoti Gërxhaliu. Por, Dardan Stublla, pohon se Qeveria e Kosovës ka projekte të shumta, të cilat do të prezantohen në konferencën e donatorëve. Sipas tij, Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka hartuar planin pas statusit, që ka synim zhvillimin dhe ngritjen ekonomike. “Ministria e Ekonomisë dhe Financave është në finalizim të kornizës afat-mesme të shpenzimeve, po ashtu edhe të planit zhvillimor, ku ka prioritetet e veta, siç janë edukimi, ekonomia, energjia, sundimi i ligjit etj.”, pohon zoti Stublla. Megjithatë, zoti Gërxhaliu thotë se pas zgjidhjes së statusit, institucionet vendore duhet në tërësi të ndërrojnë qasjen, për të kërkuar mundësi për të dalë nga situata aktuale dhe jo, siç thotë ai, të humbet kohë për kërkimin e arsyes, pse është kjo gjendje. “Duhet ditur fare mirë, nuk duhet të jemi folkloristë, iluzionistë, se në Kosovë çdo gjë do të ndodhë ashtu si mendojnë politikanët. Realiteti dëshmon krejt tjetër. Nuk ka zgjidhje të problemit, nëse nuk ballafaqohemi me problem. Për fat të keq, në Kosovë problemet anashkalohen ose zbukurohen. Dhe është koha, apo me definimin e statusit, duhet të ndërrojnë një qasje ndaj realitetit kosovarë”, u shpreh zoti Gërxhaliu.

XS
SM
MD
LG