Ndërlidhjet

PARANDALIMI I ETHEVE HEMORRAGJIKE NUK VARET VETËM NGA INSTITUCIONET


Bekim Bislimi

Me gjithë paralajmërimet nga institucionet shëndetësore kosovare, se ato janë të përgatitur për betejën që të përballen me rastet e infektimit me rriqra, sëmundje kjo që njihet si Ethet Hemorragjike, ditë më parë është shënuar rasti i parë, i cili përfundoi fatalisht, si rezultat i pickimit të rriqrave. Një person, i gjinisë femërore, nga rrethina e Malishevës, ka vdekur në Klinikën Infektive në Prishtinë, nga pasojat e infektimit nga rriqrat. Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, thotë se vdekja e pacientes nga Malisheva nuk është rezultat i papërgatitshmërisë së institucionit shëndetësor në Prishtinë, por si pasojë e arritjes me vonesë të pacientes për t’u kuruar në klinikë. “Në realitet, është sëmurë më 10 maj të këtij viti. Në institucionin shëndetësor, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare ka ardhur më 18 maj. Kjo, do me thënë është një vonesë prej 8 ditësh, që në tablon klinike të sëmundjes është një vonesë tepër e madhe, ku mjekët e Klinikës Infektive edhe përkundër përpjekjeve maksimale, 24 orëshe, të pandërprera, nuk kanë mundur të bëjnë gjë”, thekson Ramadani. Ndërkaq, Fadil Kryeziu, zëvendësministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, thotë se pohimet e mëhershme të tij, se institucionet shëndetësore janë të përgatitur të ballafaqohen me rastet e infektimit nga rriqrat, qëndrojnë, por... “Pse jemi deri këtu, në kohën kur ne deklarojmë se jemi të përgatitur të përballemi me këtë problem? Është ndoshta mungesa e informimit të qytetarëve me pasojat e pickimit të rriqrave. Për fat të keq, të shumtën e rasteve, përballemi pas kalimit të një periudhe të konsiderueshme kohore, qoftë edhe 2 apo 3 ditë e deri në 10 ditë nga momenti i pickimit, që është një periudhë, ku faktikisht, virusi i lëshuar nga rriqrat e kryen punën në organizëm dhe gjasat janë shumë të vështira që të kemi sukses në mjekimin klinik të pacientëve”, thotë Kryeziu. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe atyre të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë ekzistojnë 84 vatra, të cilat janë të nënvizuara si të rrezikuara nga rriqrat, që bartin virusin që shkakton ethet hemorragjike. Këto zona nënkuptojnë rreth gjysmën e territorit të Kosovës, dhe sipas Ramadanit, Instituti Qendror i Shëndetësisë, si dhe gjashtë institutet rajonale, janë të përgatitur dhe janë duke ndërmarrë masat e nevojshme për të luftuar infeksionin nga rriqrat, duke përfshirë edhe dezinsektimin e fshatrave në rajonet e rrezikuara. “Rastet e rënda dhe fatale mund të ndodhin. Nuk garanton askush, përveç Zotit. Unë kisha dashur të apeloj, që paralajmërimi i shfaqjeve të rasteve të reja, nuk varet tash më nga institucionet e Kosovës. Kjo varet nga qytetarët. Të gjithë personat, që për një arsye ose tjetër, nuk mund t’i shmangen punëve të fushës, në mbrëmje patjetër të kontrollohen. Ta kontrollojnë njëri tjetrin, sidomos prindërit t’i kontrollojnë fëmijët ose prindërit në mes vete, sepse rriqra nuk e lëshon menjëherë virusin, duhet të kalojnë disa orë. Kështu që mënjanimi me kohë, prapë e mënjanon sëmundjen”, thekson Ramadani. Ngjashëm thotë edhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Kryeziu. “Ne do të duhej të vetëdijesohemi më në fund, që kemi një të keqe, që do të na përcjellë edhe viteve të tjera. Bëj thirrje që të punojmë më tepër në informimin e qytetarëve për këtë të keqe, që është e pranishme në këtë pjesë të territorit të Kosovës, që nuk është e vogël, për të mos thënë se afërsisht gjysma e territorit ka të pranishme këto lloj rriqrash, që sjellin deri te sëmundja e etheve hemorragjike”, tha Kryeziu. Sidoqoftë, vitin e kaluar, janë shënuar dy raste, të cilat kanë përfunduar me vdekje, për shkak të infektimit nga rriqrat. Ndërkaq, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe atyre të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, institucionet shëndetësore në Kosovë janë duke bërë gjithë çka është e mundur, që rasti i vdekjes së pacientes nga Malisheva, të jetë rasti i fundit që përfundoi fatalisht nga ethet hemorragjike.


XS
SM
MD
LG