Ndërlidhjet

SA KA DHUNË NË FAMILJE NË KOSOVË?


Nadie Ahmeti

Tri gra kosovare, brenda ditës, janë viktima të dhunës familjare dhe këto të dhëna janë publikuar në raportin e fundit të Amnesty International, ku përfshin të drejtat e njeriut. Por, organizatat joqeveritare që merren me të drejtat e grave në Kosovë, pohojnë se numri i grave - viktima të dhunës familjare, padyshim është shumë më i madh. Hamide Latifi, nga organizata “Gratë për Gratë”, thotë se Amnesty International është bazuar vetëm në rastet e paraqitura në Shërbimin Policor të Kosovës dhe pikërisht këtu qëndron problemi.
“Problemi qëndron në atë se gratë nuk e raportojnë dhunën që ushtrohet mbi to. Ato mund të raportojnë dhunën, por duhet të kthehen prapë aty ku ka nisur dhe ku vazhdon dhuna. Prandaj, nëse ti duhet të jetosh në atë segment të dhunës, pse duhet të raportosh, nëse nuk ke asnjë përkrahje? Mendoj se shoqëria kosovare dhe mekanizmat shtetërorë duhet të krijojnë instrumente që e mbrojnë gruan dhe i japin asaj siguri në shoqërinë kosovare”, u shpreh zonja Latifi. Vetëm gjatë vitit 2006, në Shërbimin Policor të Kosovës, janë raportuar 1371 raste të dhunës në familje. Prej këtij numri, 1104 femra kanë qenë viktima të dhunës, thotë Sabrije Kamberi, zëdhënëse në këtë shërbim. “Është e vërtetë se dhuna në familje manifestohet në forma të ndryshme, me keqtrajtime fizike, psikike; fatkeqësisht, katër raste kemi pasur që kanë rezultuar edhe me vrasje”, tha zonja Kamberi. Edhe Igballe Rexha, nga Koalicioni i Gruas në Kosovë, thotë se gratë kosovare, e sidomos ato me nivel të ulët të arsimimit, ende nuk janë vetëdijesuar që dhunën e ushtruar ndaj tyre, ta raportojnë në organet e rendit. Sipas zonjës Rexha, rastet që raportohen në Shërbimin Policor të Kosovës, janë vetëm raste ekstreme. “Rastet që raportohen janë raste ekstreme, apo raste, për të cilat gruaja vërtet është e vetëdijshme që do ta zgjidhë problemin me paraqitjen në polici. Numri i grave që pësojnë dhunë është shumë më i madh se ato që raportohen në polici”, pohoi zonja Rexha. Por, çfarë mendojnë vetë qytetarët për këtë fenomen? Ismajl Graiçevci jep mendimin e tij: “Njerëzit janë të ndryshëm, sepse një çift bashkëshortor mund të jetojë me mirëkuptim. Por, dikush nuk ka mirëkuptim ose ana e kundërt. Ka faktorë të shumtë”, shprehet zoti Graiçevci. Alie Zogiani thotë se shoqëria kosovare duhet të ketë një respekt më të madh për femrat. “Ne jemi kundër. Ndoshta edhe ne, më në fund, po emancipohemi, po mbushemi mend, si meshkujt ashtu edhe femrat. Duhet të respektohet njëri-tjetri dhe duhet qenë korrekt ndaj njëri-tjetrit, kur dihet se gruaja sot punon, edhe mban familje, edhe çdo gjë”, thotë zonja Zogiani. Ndryshe, Hamide Latifi, nga organizata “Gratë për Gratë”, pohon se dhuna ndaj grave përdoret në mënyra të ndryshme. Shumica e grave, sipas saj, dhunë e konsiderojnë vetëm dhunën fizike, e jo edhe atë psikike. Duke përmendur faktorët ekonomikë, si shkaktarët kryesorë të dhunës, zonja Latifi përmend edhe ballafaqimin e traditës së vjetër me traditën e re. “Kosova është duke kaluar një kohë sfidash, është në mes të pjesës tradicionale dhe pjesës moderne. Është pikërisht një kohë e tranzicionit, kur vlerat e vjetra kanë rënë, ndërkaq vlerat e reja nuk janë ndërtuar ende. Duke filluar prej familjes, punës dhe shoqërisë në përgjithësi, gjithçka është në luhatje, gjithçka është e brishtë”, u shpreh zonja Latifi. Problem tjetër në këtë kuadër, sipas saj, është se institucionet vendore nuk kanë mekanizma të zbatueshëm për vetëdijesimin e shoqërisë kosovare. “Përveç vetëdijesimit të grave, duhet të punohet edhe me burrat. Por, institucionet e Kosovës janë larg të të kuptuarit të drejtave të njeriut, e në këtë rast të drejtave të grave. Unë nuk i kontestoj ligjet, ligjet janë shumë të mira. Mendoj se ata që i zbatojnë ligjet, duhet ta kuptojnë ligjin, duhet t'i kuptojnë rrethanat socio-ekonomike të Kosovës dhe duhet t’i zbatojnë ligjet”, theksoi zonja Latifi. Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ndërkaq pohojnë të kundërtën. Cyme Mahmutaj, nga Zyra për Qeverisje të Mirë, thotë se për zbatimin e këtyre mekanizmave, nevojiten mjete materiale, të cilat mungojnë. “Për zbatimin e legjislacionit duhen edhe mjete shtesë; jo vetëm mekanizma institucionalë, por edhe mjete buxhetore. Në këtë drejtim, ne, sa kemi mundur, kemi marrë donacione nga institucionet tjera. Por, kjo nuk do të thotë se është bërë mjaft, por jemi në vazhdimësi”, tha zonja Mahmutaj. Ndryshe, sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, të drejtat e grave mbrohen vetëm në baza ligjore, ndërkaq në praktikë ato janë larg standardeve ndërkombëtare. Dhe, përderisa mekanizmat, që mbikëqyrin zbatimin efektiv të ligjeve, mungojnë, gjasat për zgjidhjen e këtyre problemeve janë të vogla.
XS
SM
MD
LG