Ndërlidhjet

SISTEMI I DREJTËSISË PAS STATUSIT


Albana Isufi

Ekspertë të fushës së drejtësisë thonë se Kosova ende ka ngecje në sistemin e drejtësisë dhe se duhet bërë përpjekje për të rritur efektshmërinë e kësaj fushe. Sipas zyrtarëve, procedurat e gjata gjyqësore, numri i vogël i gjyqtarëve dhe prokurorëve, pagat e ulëta, janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballet gjyqësori i Kosovës. Ministri i Drejtësisë, Jonuz Salihu, shpreson se pas miratimit të rezolutës së OKB-së, në bazë të së cilës do të përcaktohet statusi i Kosovës, do të ketë ndryshime pozitive edhe në sistemin e drejtësisë. “Do të kemi efikasitet më të madh gjyqësor, dhe kjo mund të arrihet vetëm me një model pune të gjyqtarëve italianë, gjermanë etj.”, u shpreh ministri Salihu. Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Ramë Gashi, thotë se për të ngritur efektshmërinë në sistemin e drejtësisë, duhet bërë, së pari, një riemërim i përgjithshëm i gjykatësve dhe prokurorëve. “Duhet të bëhet një riemërim i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pritet të aprovohet ligji mbi gjykatat e rregullta, pritet të përmirësohen kushtet e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Do me thënë, këto janë garancitë, që pritet një gjyqësi më efikase në të ardhmen”, tha Gashi. Në planin e Martti Ahtisaarit për statusin e Kosovës është paraparë që Misioni Evropian për Siguri dhe Drejtësi të mbikëqyrë fushën e drejtësisë, derisa të forcohen institucionet vendëse. Ky mision do të jetë përgjegjës për t’u marrë me çështjet më të ndjeshme, për të hetuar krimet e rënda dhe për të siguruar se këto vepra kriminale janë duke u hetuar dhe gjykuar në mënyrë efektive. Misioni, po ashtu, do të ketë disa funksione ekzekutive, për të siguruar se është duke funksionuar sundimi i ligjit. Por, të gjitha këto, sipas ministrit të Drejtësisë, Jonuz Salihu, do ta ndihmojnë, dhe jo kufizojnë gjyqësorin kosovar, që të veprojë në mënyrë të pavarur nga ndërkombëtarët. “Misionin e BE-së nuk e kuptojmë si kufizim, por si ndihmë konkrete për të përgatitur Kosovën, që të jetë pjesë e BE-së. Kjo është një rrugë jo e shkurtër dhe ne këtu kemi lëshime, kemi pasur edhe në të kaluarën. Neve na duhet një përvojë e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe besoj se do të jemi më afër BE-së me këtë bashkëpunim, që do të jetë krejt ndryshe nga UNMIK-u. Po ashtu, roli i BE-së do të jetë më shumë monitorues, sesa menaxhues”, ka thënë ministri Salihu. Në anën tjetër, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës thotë, se sfida më e madhe për gjyqësorin mbetet mungesa e besimit të qytetarëve në këtë institucion. Kështu që, sipas Gashit, institucionet që merren me sundimin e ligjit, kanë shumë punë për të bërë. “Krijimi i një besimi tek qytetarët që gjyqësia është e paanshme, është e drejtë, e efektshme. Qasja e të gjithë qytetarëve para ligjit është e njëjtë, pa dallim race, feje, por gjithsesi efektshmëria”, tha Gashi. Nëse Këshilli i Sigurimit miraton rezolutën për Kosovën, e cila do të ketë për bazë planin e Ahtisaarit, atëherë në Kosovë do të vijë një numër i konsiderueshëm i gjykatësve dhe prokurorëve ndërkombëtarë, sikurse është parashikuar që të vijnë edhe mbi një mijë policë evropianë.


XS
SM
MD
LG