Ndërlidhjet

Ç’DO TË THOTË MORATORIUMI DYVJEÇAR PËR ANËTARËSIM NË OKB?


Albana Isufi

Analistët politikë kosovarë thonë, se nëse çmimi për arritjen e një pajtimi për rezolutë të Kombeve të Bashkuara, mes Rusisë dhe Perëndimit, është moratoriumi dyvjeçar i anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara, atëherë kjo nuk do të shkaktonte problem për Kosovën. Por, ndryshe mendojnë zyrtarë të institucioneve. Ka qenë Grupi Ndërkombëtar i Krizave, që i pari ka propozuar një qëndrim të tillë, me qëllim që të zbutet qëndrimi Rusi-Perëndim. Por, këshilltari politik i kryeministrit, Arben Qirezi, thotë se Kosova duhet të funksionojë si shtet me të gjitha të drejtat, siç i kanë shtetet tjera, të njohura ndërkombëtarisht. “Kosova duhet të funksionojë si shtet dhe duhet të jetë anëtare e të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë, mu siç është paraparë me planin e Ahtisaarit. Në këtë aspekt, Kosova nuk beson se duhet të jetë një rast i diskriminuar prej shteteve tjera, të njohura ndërkombëtarisht”, tha Qirezi. Në anën tjetër, ish-kryeministri, njëherësh nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Bajram Rexhepi, mendon se mosanëtarësimi për dy vjet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara nuk do t’i shkaktonte probleme të mëdha Kosovës. “Ende nuk ka diçka zyrtare. Sa ishim në New York, kanë qarkulluar çështje të tjera, sidomos qëndrimi rus ka qenë që edhe 6 vjet Kosova të mos ketë të drejtë aplikacioni për vend në OKB. Moratoriumi për të mos u inkuadruar në organizmat tjerë financiarë apo të tjerë, nuk është i pranueshëm. Ndërsa, po e shpreh mendimin tim, në OKB ka shumë shtete, që kanë pritur edhe më gjatë. Zvicra në vitin 2002 është anëtarësuar dhe nuk i ka munguar asgjë. Kështu që s’na kishte prishur shumë punë për dy vjet, në ndërkohë që ne të integrohemi në organizmat tjerë, që janë të rëndësishëm në këtë moment për Kosovën”, u shpreh Rexhepi. Analisti politik, Lulzim Peci, mendon se moratoriumi për anëtarësim në OKB do të ishte i pranueshëm për Kosovën, nëse është i vetmi kompromis për miratimin e rezolutës në OKB, e cila do të përcaktonte statusin final. “Shtyrja nuk ka kurrfarë të mire, sepse e pengon Kosovën, që të bëhet anëtare e plotë e bashkësisë ndërkombëtare. Mirëpo, moratoriumi, sa i përket pranimit në OKB, nuk e nënkupton edhe mosnjohjen nga shtetet tjera, që nënkupton se në këtë fazë, Kosova mund të njihet ndërkombëtarisht nga shtetet tjera, ndërsa anëtarësimi në OKB të bëhet pas dy vjetësh. Nëse vetëm kjo pikë është diskutabile për t’u arritur kompromis me Rusinë, atëherë do të ishte një kompromis, që do t’i konvenonte edhe Kosovës”, theksoi Lulzim Peci. Mirëpo, këshilltari politik i kryeministrit, Arben Qirezi, edhe më tej beson se rezoluta e OKB-së do të ketë për bazë planin e Ahtisaarit, ku parashihet qartë se Kosova mund të anëtarësohet në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë. “Megjithatë, do të presim rezolutën dhe të shikojmë se çfarë ka në rezolutë. Ne besojmë, se në rezolutë nuk do të ketë ndonjë kufizim, që Kosova të mos anëtarësohet në OKB. Besoj, se vendimi që do të merret në OKB, do të jetë praktik për Kosovën. Kosova nuk ka ndikim në vendimet që merren ndërmjet këtyre organizmave dhe shteteve, mirëpo megjithatë, Kosova vazhdon të besojë se vendimi që do të merret, do të jetë i arsyeshëm dhe në të mirë të qytetarëve të Kosovës, gjë që është elementi më i rëndësishëm i çfarëdo marrëveshjeje që bëhet”, është shprehur Qirezi. Në anën tjetër, ish-kryeministri Bajram Rexhepi thotë se për Kosovën është më me rëndësi që të zhvillohet në aspektin ekonomik, sesa të merret me çështjet globale. “Ekonomia, reforma në arsim, shëndetësi, kushtet më të mira, rendi dhe ligji - këto janë prioritetet tona, që na duhet të harxhojmë tërë energjinë, ndërsa ne nuk kemi shumë buxhet për të vendosur ose për të votuar për çështjet e Afrikës ose Azisë. Ne i kemi punët tona, kështu që për dy vjet kjo nuk do të na prishte shumë punë”, vlerësoi Rexhepi. Analisti Lulzim Peci thotë, se nëse vendoset për një moratorium dyvjeçar, atëherë kjo periudhë do të mund të mbulohej me aktivitete dhe angazhime të tjera të Kosovës në mekanizmat që nuk kanë të bëjnë me OKB-në. “E tërë kjo periudhë mund të mbulohet përmes njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës dhe nga konferenca të donatorëve që mund të organizohen për Kosovën; mund të marrim edhe kredi nga Klubi i Parisit dhe nga Banka për Zhvillim dhe Rindërtim e BE-së, se aty s’do të ketë pengesa”, ka thënë Peci. Rezoluta e OKB-së, teksti i së cilës ka për bazë planin e Ahtisaarit, që ofron pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën, ka ngecur të miratohet në OKB, për shkak të kundërshtimit rus. Teksti i rezolutës është duke u diskutuar edhe më tej në relacionin SHBA-BE-Rusi.




XS
SM
MD
LG