Ndërlidhjet

KOMBET E BASHKUARA


Këshilli i Sigurimit me dyer të mbyllura është njohur dhe ka debatuar projekt rezolutën për Kosovën.
"Rezoluta lidhur me Kosovën zyrtarisht u paraqit sot dhe do ketë një takim ekspertësh që do diskutojë këtë rezolutë nesër", tha Zalmay Khalilzad, ambasador i SHBA-ve në OKB.
Teksti i paraqitur sot dallon nga ai i paraqitur në fillim të Majit.
Projekt rezoluta për Kosovën do ta mbështesë në vend që ta miratojë planin e Kombeve të Bashkuara për shtetin e Kosovës. Kjo zbutje e gjuhës është në përpjekje për të adresuar kundërshtimet e Rusisë.
"Ndryshimi kryesor nga projekti i paraqitur në fillim të majit lidhet me paragrafin OP1 në të cilin Këshilli i Sigurimit nuk do ta miratojë propozimin e Ahtisaarit, por vetëm do ta mbështesë", citon agjencia Reuters një diplomat perëndimor.
Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara Zalmay Khalilzad tha se "jemi të hapur për të biseduar me rusët, t'i marrim idetë e tyre që janë në përputhje me thelbin e planit të Ahtisaarit".
Por ambasadori rus në Kombet e Bashkuara Vitali Curkin ka thënë se rezoluta e paraqitur sot nuk paraqet asgjë të re dhe pozicionet mbeten të njëjta.
"Projektrezoluta përfshin disa ndryshime të vogla, por nuk paraqet ndryshime thelbësore lidhur me shqetësimet e paraqitura nga Federata Ruse", tha Curkin.
XS
SM
MD
LG