Ndërlidhjet

A DO TË KETË PLAN ‘B’ NËSE NUK MIRATOHET REZOLUTA?


Zijadin Gashi

Vendimi i Këshillit të Sigurimit përmes nxjerrjes së rezolutës së re për Kosovën është rruga më e mirë për definimin e statusit të saj, thonë përfaqësues politikë dhe analistë në Prishtinë. Ndërkaq, çdo plan ‘B’, në rast të dështimit të miratimit të rezolutës për shkak të kundërshtimit të Rusisë, cilësohet si alternativë, por jo edhe si zgjidhja më e mirë. Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se Kosova ka hyrë në fazën finale të definimit të statusit. Ky angazhim, sipas zëdhënësit të LDK-së, Vehbi Miftari, po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare. Rrjedhimisht nga kjo, sipas tij, pritet miratimi i rezolutës, si plani më i mirë i mundshëm. “Unë besoj se të gjitha institucionet e Kosovës pa përjashtim, subjektet politike dhe qytetarët e Kosovës janë të përkushtuar dhe vazhdimisht të angazhuar që të realizojnë atë që është synim i tyre, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare. Dhe ne presim që kjo të ndodhë. Në rast eventual, ne besojmë se institucionet do të jenë shumë të përgjegjshme dhe të gjithë bashkërisht do të ndërmarrim hapat e nevojshëm. Mirëpo, megjithatë, ne besojmë se rezoluta do të miratohet”, tha Miftari. Në anën tjetër, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bajram Rexhepi, thotë se plani ‘B’ mund të vijë në shprehje vetëm nëse shterren të gjitha mundësitë për miratimin e rezolutës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Sipas tij, samiti “G8” mund të jetë mundësi e mirë për të ecur përpara në nxjerrjen e rezolutës, por jo edhe për kompromise të reja që do t’ia humbnin kuptimin pakos së Ahtisaarit. Rexhepi thotë se preferon vazhdimin e angazhimeve diplomatike deri në bindjen e Rusisë për të mos përdorur veton, lidhur me nxjerrjen e rezolutës së re për Kosovën. “Nëse qëndrimi rus është shumë rigid, që kërkon zvarritje ose është kundërproduktiv, atëherë prej alternativave më të këqija duhet të gjejmë se cila është më pak e keqe. Nëse mund të thuhet ndonjë plan ‘B’, edhe pse zyrtarisht nuk ka pasur plan ‘B’, atëherë ndoshta duhet të shkohet në shpallje të pavarësisë dhe të fillojë njohja individuale”, ka theksuar Rexhepi. Shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës dhe pritjet që kjo të njihet nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, janë si mundësi që përmenden në rast të dështimit të rezolutës, thotë analisti Ilir Dugolli. Mirëpo, edhe në këtë rast, Dugolli beson se një numër të madh të detyrimeve që Kosova i ka pranuar me pakon e Ahtisaarit, sërish do t’i merrte përsipër në marrëveshje të reja me bashkësinë ndërkombëtare. “Një numër i madh i detyrimeve do të ekzistonin në forma të tjera. Nuk është se do të mund t’i zbehnin ato premtime, të cilat i kanë dhënë dhe të cilat janë formuluese në formë të garancive në dokumentin e Ahtisaarit, qoftë sa u përket të drejtave të pakicave, por qoftë edhe sa i përket organizimit territorial, decentralizimit etj. Kështu që unë besoj, se pjesa më e madhe e tyre, në njëfarë forme, janë edhe të obligueshme në një mënyrë ose tjetër”, është shprehur Dugolli. Një prej segmenteve me rëndësi në Kosovën e pas statusit, në rast të zbatimit të planit ‘B’, sipas Bajram Rexhepit, do të ishte edhe marrëveshja me bashkësinë ndërkombëtare në lidhje me rolin e pranisë së ardhshme ndërkombëtare në Kosovë, si dhe e çështjeve që kanë të bëjnë me komunitetet. “Nëse fillon njohja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian, do të kërkohet që ne t’i respektojmë standardet më të larta për komunitetet. Se a do të vlejë komplet pakoja e Ahtisaarit apo ne do t’i respektojmë standardet më të larta ekzistuese, kjo është çështje e marrëveshjeve, e bisedimeve që mund të bëhen më vonë”, ka pohuar Rexhepi. Ai numëron edhe disa përparësi që i ka nxjerrja e rezolutës, apo vendimi i përbashkët i Këshillit të Sigurimit, krahasuar me planin ‘B’. “Rezoluta lehtëson dhe ruan unitetin e Evropës që është krijuar me një mund të madh, lehtëson inkuadrimin e Kosovës në institucione të ndryshme ndërkombëtare, qoftë financiare, qoftë për të ardhmen në ato ushtarake, krijon parakushte të mira që ne të aplikojmë për ulëse në Kombet e Bashkuara. Pra, ka shumë favore, ka shuam përparësi”, vlerësoi Bajram Rexhepi. Po kështu, edhe analisti Ilir Dugolli vlerëson se plani ‘A’ është më i favorshëm për Kosovën, sesa plani ‘B’. Sipas tij, me rezolutë do të ruhej edhe uniteti i Bashkimit Evropian për statusin e Kosovës, çka nuk do të mund të thuhet në rast të planit ‘B’. “Përparësia më e madhe është siguria, është fakti që do të jetë numri më i madh i shteteve që do të jenë prapa një vendimi të tillë. Bashkimi Evropian do të ishte unik në përkrahjen e tij. Tranzicioni prej UNMIK-ut në praninë e ardhshme ndërkombëtare do të ishte më i lehtë. Siguria në terren do të ishte më e madhe. Reagimi i Serbisë dhe i serbëve brenda Kosovës do të ishte shumë më i zbehtë”, ka theksuar Dugolli. Sidoqoftë, plani ‘B’ qarkullon si opsion vetëm në rast të dështimit të miratimit të rezolutës në Këshillin e Sigurimit. Zyrtarët më të lartë kosovarë, në disa raste e kanë përsëritur qëndrimin e tyre, se edhe nëse vjen në shprehje plani ‘B’, atëherë shpallja e pavarësisë së Kosovës, pa vendimin e Këshillit të Sigurimit, do të bëhej sërish në marrëveshje me aleatët dhe miqtë e Kosovës, vende këto që tashmë i kanë dhënë mbështetje pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën, të paraparë me pakon e presidentit Ahtisaari.

XS
SM
MD
LG