Ndërlidhjet

KUÇI: KRITERET PËR SIMBOLET U DORËZOHEN EKIPIT TË UNITETIT NË FUND TË JAVËS


Albana Isufi

Mbledhja e parë e grupit punues për përcaktimin e kritereve për simbolet e Kosovës ka sjellë premtimin, se deri të premten këto kritere do të jenë të gatshme për Ekipin e Unitetit. Kryesuesi i këtij grupi punues, Hajredin Kuçi, ka thënë se komisioni do të përmbushë afatet e caktuara nga Ekipi i Unitetit. “Po ju premtoj se do ta plotësojmë afatin. Brenda javës, jam i bindur se do t’i dërgojmë në Ekipin e Unitetit. Puna ka nisur, punët po shkojnë mbarë”, është shprehur Kuçi. Ky grup punues është krijuar dje nga ana e Grupit Politik Strategjik dhe nga Grupi Strategjik për Tranzicionin, pasi për një vendim të tillë qe vendosur në mbledhjen e fundit të Ekipit të Unitetit. Hajredin Kuçi, njëherësh edhe kryesues i Komisionit Kushtetues, thotë se edhe nëse grupi përcakton shpejt kriteret, fjala përfundimtare i mbetet sërish Ekipit të Unitetit. “Nuk është vetëm në dorën tonë, ne jemi grup teknik. Kuptojeni këtë! Vendimet duhet t’i kërkoni në Ekipin e Unitetit! Unë u kam thënë se për dy orë ua jap propozimet e mia. Dy ditë janë të mjaftueshme për të ardhur në përfundim. Prej komisionit, që e udhëheq unë, do të respektohet afati”, ka thënë Kuçi. Përzgjedhja e simboleve të Kosovës, flamurit, stemës dhe himnit, tash një kohë të gjatë, është bërë pjesë e diskutimeve herë në Ekipin e Unitetit e herë në Kryesinë e Kuvendit. Kanë qenë pikërisht mospajtimet mbi kriteret për përcaktimin e simboleve, të cilat kanë shtyrë shpalljen e konkursit për simbolet. Analistë të ndryshëm patën tërhequr vërejtjen, se nëse kjo çështje zvarritet edhe më tej, atëherë mund të ketë imponim të simboleve, siç kishte ndodhur edhe në Bosnje. Por, sipas zëvendëskryeministrit Lutfi Haziri, një gjë e tillë nuk do të ndodhë në Kosovë. “Ne kemi kërkuar, që simbolet të jenë problem i Kosovës, e jo të vendosë dikush tjetër. Dhe kjo është pranuar nga zoti Ahtisaari, që Kosova të ketë simbolet dhe të bëhen nga kosovarët, për dallim nga Bosnja”, ka theksuar Haziri. I dërguari i Bashkimit Evropian në Kosovë, Torbjorn Sohlstrom, përjashton mundësinë e imponimit të simboleve nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. “Simbolet janë pjesë e përgatitjeve për fazën e tranzicionit. Propozimi gjithëpërfshirës i Ahtisaarit parasheh që Kosova t'i ketë simbolet e veta. Ekipi i Unitetit ka vendosur të shkojë përpara me përgatitjet. Ne nuk kemi asnjë problem lidhur me këtë. E vetmja gjë që ne besojmë se është e rëndësishme, është se pa marrë parasysh se çfarë përgatitjesh do të bëhen, ato do të çojnë në një vendim që do të jetë në përputhje me propozimin e Ahtisaarit”, është shprehur i dërguari i Javier Solanës në Kosovë, Torbjorn Sohlstrom. Pakoja e Martti Ahtisaarit për statusin e Kosovës parasheh që simbolet të paraqesin natyrën shumetnike të Kosovës.

XS
SM
MD
LG