Ndërlidhjet

VAZHDOJNË GËRMIMET NË RUDNICË TË SERBISË


Rrahman Paçarizi

Hulumtimet dyditëshe në vendin e dyshuar si varrezë masive e shqiptarëve të vrarë në vitin 1999 në Rudnicë të Serbisë, vetëm dy kilometra në afërsi të kufirit me Kosovën, deri më tash nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, thanë për radion Evropa e Lirë përfaqësues të Komisionit qeveritar të Kosovës për personat e pagjetur. Arif Muçolli, kryetar i këtij komisioni, tha se gërmimet që janë bërë të martën dhe të mërkurën nuk kanë vërtetuar ende dyshimet për ekzistimin e një varreze masive në atë lokacion. “Për dy ditë sa është punuar, ndoshta është hulumtuar një e treta e vendit që planifikohet. Por, mund të themi se deri më tash, nuk kemi hasur diçka që na shpie deri te gjetja e trupave, për të cilët është dyshuar”, u shpreh Muçolli. Ai tha se lokacioni është shumë i papërshtatshëm për këtë natyrë të punës dhe kjo mund të jetë edhe arsyeja kryesore për ritmin e ngadalshëm të punëve. “Është një vend moçalik. Kushtet për punë janë të vështira dhe mendojmë se do ta ngadalësojnë pak tempin e punimeve. Mirëpo, shpresojmë se do të arrijmë, që brenda katër-pesë ditësh, ta hulumtojmë atë vend që është identifikuar, për të vërtetuar se ka apo nuk ka trupa”, ka thënë Muçolli. Dyshimet për këtë varrezë masive, që do të ishte e katërta varrezë masive me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë e të transportuar në Serbi, janë bërë nga dëshmitarët, të cilët, sipas njoftimeve jozyrtare, kanë bërë të ditur se në fillim të qershorit të vitit 1999, në atë lokacion janë rivarrosur 300-500 persona. Zoti Muçolli thotë se hulumtimi i kësaj varreze të dyshuar është bërë pas shumë negociatash me palën serbe, në kuadër të grupit të përbashkët punues për të zhdukurit. “Është një lokacion, i cili është identifikuar që më parë. Që nga viti 2004 është vend i dyshuar. Dyshimet kanë lindur në bazë të dëshmive që kanë dhënë dëshmitarët para hetuesisë së UNMIK-ut. Për atë vend kemi pasur negociata me grupet dialoguese të Serbisë. Mirëpo, kemi ardhur në përfundim dhe jemi marrë vesh që të fillojnë hulumtimet”, tha Muçolli. Sidoqoftë, ai theksoi se e gjithë puna ka shkuar me temp tepër të ngadalshëm, pasi që është dashur të pritet tri vjet për të nisur hulumtimet mbi këtë varrezë të dyshuar masive. Muçolli tha se mijëra familje presin të mësojnë mbi fatin e më shumë se 1500 personave, që konsiderohen të zhdukur edhe tetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë.
XS
SM
MD
LG